Kryetar i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Ardian Lekaj shprehet se “të gjithë specialistët thonë që ky virus nuk është më i fortë se një grip e prapëseprapë po vihen kufizime të reja. Kjo padiskutim do të ndihet në xhepin e njerëzve. Pas një epidemie të tillë do të rritet papunësia, sëmundjet etj.
Duke folur lidhur me ndikimin e koronavirusit në ekonominë botërore, Lekaj shprehet se “sot COVID-19 ose koronavirus është shndërruar në kryefjalën e ditës në çdo vend të botës. Dhe nuk është çudi që të gjithë janë të përqëndruar tek kjo temë dhe kanë lënë pas dore tema të tjera që janë deçizive për realitetin ekonomik, shoqëror e politik të Europës dhe të botës, siç është Brexit, situata në Iran/Irak, refugjatët sirianë, konflikti në kufirin Turko-Grek për të përmendur disa. Brexit i kushton taksapaguesve anglezë rreth 5 miliardë € sipas statistikave të NAO (National Audit Office). Që në tetor të vitit 2019 po punojnë rreth 22 mijë njerëz për këtë çështje, por askush nuk deklaron shifra transparente dhe të argumentuara për këtë proces të paprecendent dhe ndikimin e tij në ekonominë britanike. Sigurisht është akoma herët për të thënë se sa do të jetë ndikimi i koronavirusit në ekonominë botërore, por le të marrim vetëm një shembull të dhënë nga IATA (International Air Transport Association) e cila parashikon një humbje 56 deri në 101 miliard euro vetëm për sektorin e fluturimeve. Numri i rezervimeve ka rënë me 50-60 % . Nuk dihet se si do ta përballojnë këtë situatë kompanitë e fluturimeve që kanë kohë që dihet se kanë probleme si “Alitalia” apo “Norwegian Air”. Nga SARS pati një tkurrje në bursat botërore me rreth 40 miliardë $ por që nga ai moment ekonomia kineze u zhvillua nga vendi i 6 në vendin e dytë sot . Ekonomia kineze në 2003 përfaqësonte 4.2 % të ekonomisë botërore ndërsa sot 16.3 %.
Nga ana tjetër, shprehet ai, Kina që është aktualisht vendi më i prekur nga kjo pandemi, është më e fuqishme ekonomikisht sot se sa ishte në vitin 2003.
“Të gjitha rregullat e reja që do të vendosin kundra koronavirusit do të shkaktojnë akoma më shumë dëme se virusi vetë. Të gjithë specialistët thonë që ky virus nuk është më i fortë se një grip e prapëseprapë po vihen kufizime të reja. Kjo padiskutim do të ndihet në xhepin e njerëzve. Pas një epidemie të tillë do të rritet papunësia, sëmundjet etj. Coronavirusi është një problem biologjik, dhe jo një problem ekonomik. Sado para të hidhen në treg, nuk do të ndihmojnë situatën. Tregjet duhet të kuptojnë se situata ekonomike e krijuar nga pandemia nuk ndryshohet duke printuar para, ky është një proces psikologjik që ndoshta do të sjellë një krizë shumë të madhe dhe do te shkaktojë shumë humbje”, thekson Lekaj .