Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka vlerësuar sot dekretimin nga Presidenti Ilir Meta të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
“Ne e mirëpresim emërimin nga Presidenti Ilir Meta të 3 anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë – një hap i rëndësishëm dhe pozitiv që duhet të vazhdohet deri në fund. Tani, ne duhet të mbështesim gjyqtarët që ata të mund të shërbejnë drejtësi për të gjithë njerëzit e Shqipërisë”,- shkruan Yuri Kim në një postim në Twitter.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Sokol Sadushajt, Ervin Pupes dhe Ilir Pandës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke i hapur rrugën ringritjes së kësaj gjykate. Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenca deklaroi se dekretet u firmosën pasi Meta shqyrtoi propozimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe praktikat dokumentuese të kualifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes.
“Presidenti i Republikës vlerësoi pa vonesë këto propozime, duke konsideruar se fillimi nga funksionimi i Gjykatës së Lartë, është një element kyç për respektimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë, nga një gjykatë e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca.
Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda do të ngjiten në Gjykatën e Lartë si gjyqtarë të zgjedhur nga rrethi i juristëve të spikatur, pas një procesi të zgjatur vlerësimi në KLGJ.