Për herë të parë pas vitit 90 ndërpritet botimi i gazetave print . Shtypi i shkruar ka njoftuar mbylljen e përkohshme të gazetave deri në një njoftim te dytë për shkak të masave parandaluese ndaj Covid-19
Më poshtë janë njoftimet e disa gazetave kryesore në vend;
Stafi drejtues i gazetës KOHA JONE, nisur nga situata e pazakontë e corona virusit, vendosi që gazeta të mos botohet deri të hënën, sikurse edhe gazetat e tjera.
Eshtë hera e dytë që gazeta “KOHA JONE” ndërpret botimin. Hera e pare ka qenë nga data 2 mars deri me 12 prill 1997, kur pushteti i kohës dogji redaksinë e gazetës natën sapo u vendos Ligji i Gjëndjes së Jashtëzakonshme me 2 mars 1997.
Ndërkohë tani lexuesit mund të informohen, si përherë, edhe në www.kohajone.com. Gazeta “Koha Jone” mbetet gazeta e parë e pavarur në Shqipëri, themeluar në Lezhë me 11 maj 1991.
***
Të dashur lexues të gazetës DITA versioni print
DITA është ndër mediat e para që bëri thirrje për pakësim të kontakteve dhe lëvizjeve si dhe qëndrim në banesa si masë e parë parandaluese e shpërndarjes së Covid 19.
Në vijim të këtij qëndrimi njoftojmë lexuesit tanë të versionit print, shumica e të cilëve janë në moshë, se do ndërpresim për disa ditë versionin letër të gazetës.
Shtypja, shpërndarja dhe shitja e gazetës DITA në kioskat dhe pikat e tjera të shitjes së shtypit në Tiranë dhe rrethe pezullohet deri në një njoftim të dytë.
Ju lutemi qëndroni në shtëpi.
DITA shpreson që edhe kolegët e mediave të tjera që shpërndahen në versionin letër të veprojnë njësoj.
Urojmë që masat drastike të orëve të fundit të shërbejnë për lokalizimin dhe identifikimin sa më të shpejtë të personave tashmë të infektuar për të kaluar më pas në izolimin dhe mjekimin e tyre me qëllim ndërprerjen e shpërndarjes së virusit.
Sa më pak kontakte, aq më shpejt do mundemi ta kalojmë së bashku këtë fazë.
Lajmet e gazetarëve dhe analistëve tanë mund të vazhdojnë të ndiqen rregullisht në versionin online të gazetës gazetadita.al si dhe në rrjetet sociale.
***
Pas një debati të gjatë, mes shembjes së një tradite të botimit ditor të shtypit të shkruar dhe rrezikut potencial ndaj lexuesve tanë, vendosëm të ndalojmë hedhjen në treg të gazetës “Panorama” dhe “Panorama Sport”, deri në mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme të shtetrrethimit.
Të gjithë lexuesit tanë mund të na ndjekin lajmet tona, duke klikuar në webin tonë www.Panorama.al dhe Panoramasport.al
Ashtu siç e kishim parashikuar, virusi del nga kontrolli, nëse ne nuk marrim masa ekstreme.