Plovdivi i Bullgarisë dhe Matera e Italisë
Plovdivi i Bullgarisë dhe Matera e Italisë. Të dyja deri tani janë cilësuar si “Kryeqyteti kulturor i Europës 2019”. Një cilësim ky i përvitshëm, që vjet iu ankorua qytetit Leevarden në Holandë dhe Valetës së Maltës.
“Kryeqyteti Evropian i Kulturës” është një nismë e Bashkimit Evropian, e cila ka për qëllim që të nxjerrë në pah pasurinë dhe larminë e zhvillimit artistik e qyteteve evropiane, si dhe aspektet e përbashkëta kulturore të Evropës, për të kontribuar në afrimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të popujve të saj.
Matera e Italisë ende ruan një bukuri të paprishur dhe ofron panoramë unike të qytetit. Në vitin 1993, UNESCO i ka dhënë qytetit statusin e Trashëgimisë Botërore dhe historia e saj e lashtë tregon se qyteti ka bollëk të pikave të trashëgimisë kulturore. Ajo është një nga qytetet më të vjetra në botë, i cili ka qenë i banuar qe në mijëvjeçarin e 10-të Para Lindjes së Krishtit.
Kurse Plodvivi i Bullgarisë është më i vjetër se Roma, Kartagjena ose Kostandinopoja. Rreth 350.000 banorë jetojnë në këtë qytet që shtrihet mbi shtatë kodra në jug të Bullgarisë Qendrore. Po të ecni në rrugët e lashta të qytetit, do të shihni plot dëshmi që flasin për të kaluarën e tij të lavdishme e të trazuar. Syri të zë ndërtime të ngritura nga trakët, popull që kallte tmerr e që jetoi qindra vjet para erës sonë, si edhe kolona greke, teatro romakë dhe minare turke.