Realpolitik flash nga Dr. Jorgji KOTE
Nisur nga numri i madh i ngjarjeve gjatë periudhës 2 – 16 Mars, ndonëse COVID – 19 e ka pllakosur dhe politikën & diplomacinë, në këtë Rubrike unikale të Argumentum, Dr. Jorgji KOTE jep shkurt thelbin e 3 korpuseve me 8 ngjarjet kryesore diplomatike që lidhen me rajonin, Kosovën dhe vendin tonë
***
2 Mars: Komisioni Evropian rekomandoi çeljen e menjëhershme të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo po shqyrtohet në vendet antare në pritje për t’u miratuar, kismet në Samitin e BE-së më 24 Mars në Bruksel. Tanimë është pothuajse e sigurt PO-ja për çeljen e negociatave, gjithsesi me disa kushte dhe “bishta”. Pra një PO e vakët që fare lehtë mund të kthehet në JO gjatë procesit të ndërlikuar të negociatave. Kjo mbasi Metodologjia e re e Zgjerimit, kërkon që në mbikqyrjen e negociatave të përfshihen aktivisht edhe parlamentet, ministritë dhe agjenci të tjera të vendeve antare të BE-së.
Ndërsa në rastin e një performance të dobët, do të ndërpriten, pezullohen dhe si masë ekstreme, mund të rikthehet i tërë procesi i negociatave nga e para.
Kriza e azilit BE – Turqi: Marsi filloi me vizitën e treshes më të lartë drejtuese të BE-së, Leyen, Michel dhe Sassoli në kufirin greko-turk me Kryeministrrin grek Mitsotakis dhe në Bruksel më 9 Mars me Presidentin turk Erdogan, në përpjekje për të mbajtur gjallë Marrëveshjen e vitit 2016; mbi bazën e saj, BE i derdh Turqisë çdo vit 3 Miliard Euro për strehimin atje të 3,6 milionë refugjatëve sirianë. Bisedime të vështira, pa rezultat, që do t’i vijojnë Borrell i BE-së dhe kryediplomati turk Cavusogllu.
Është tejet pozitive që BE dhe Greqia u treguan të vendosura, për të mos përsëritur vitin 2015 të dyndjes së azilantëve drejt BE-së, sidomos tani dhe me përhapjen e COVID – 19. Çdo lëshim do të ishte katastrofik dhe “municion” për ekstremistët dhe populistët. Kjo krizë tregoi dështimin e BE-së në menazhimin e azilit dhe migrimit; pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Turqinë, në vend të mobilizohej me politika efektive në Libi dhe në Siri, si burimi i azilit masiv, BE u tërhoq prej andej, duke ia lënë terrenin Rusisë dhe Turqisë që “ gjetën shesh dhe bënë përshesh” Asgjë nuk u bë megjithë premtimet as për miratimin e një politike të përbashkët europiane të azilit dhe emigrimit. BE vetëm sa “ zgjidhi qesen” por pa e shoqëruar me politika efektive. Nxitësi i kësaj krize është Presidenti turk Erdogan, të cilin kohët e fundit e ka ndjekur kudo “ tersi”; brenda vendit, me rënien e madhe të ekonomisë, kurse vjet humbi bashkitë kryesore përfshi Stambollin; tre ish – aleatët më të ngushtë politikë kanë krijuar parti kundër AKP-së dhe për pasojë, popullariteti i Erdogan ka pësuar pikiatë. Në këto kushte, ai u hodh në sulm në Libi dhe Siri bashkë me Putinin, por në pozicione diametrialisht të kundërta. Erdogan kërkon përmbysjen e Assad, të cilin Rusia e mbron dhe ushtarakisht. Një tel tejet i hollë ekuilibri për Erdoganin e plakur politikisht, që u pa dhe më 9 Mars kur takoi Putinin në Kremlin. Marrëveshja e Armëpushimit që miratuan të dy nuk e lejon Turqinë të rimarrë 160 qytete dhe fshatra të kontrolluara nga Assad ku dhe do të shpërngulej shumica e refugjatëve sirianë të Turqisë. Ky është dështim i madh në politikën e jashtm turke, veç dobësimit të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Sa për avancimin e mëtejshëm në Siri, për Erdoganin shkon shumë shprehja “ hip këtu dhe shih Stambollin” Ndaj, dje, më 15 Mars u dorzua duke u tërhequr nga hapja e portave për azilantët e huaj drejt Greqisë dhe Evropës.
5 Mars – Takimi Thaçi – Vuçic në Shtëpinë e Bardhë me të Dërguarin e Posaçëm R.Grenell. Ndonëse nuk takoi të paktën as Pompeon, qoftë dhe për kortezi, Thaçi e “pompoi” atë takim a thua se u nënshkrua Marrëveshja e shumëpritur. U “ra kudo borive” në qiell se demek tani do të bëhet nami me dialogun me Beogradin!!! Mblodhi dbe partitë politike më 10 Mars në Prishtinë për t’iu dhënë sihariqin e madh. Në fakt, në mungesë të një procesi real, Thaçi por dhe të gjitha palët po luajnë “ pa top”.
Tej kësaj zhurme boshe, siç vendosi më 14 Mars në Rezolutën e tij dhe .Kuvendi i Kosovës, tanimë në Prishtinë “ violinë e parë” është Albin Kurti me koalicionin e tij qeveritar. Pastaj, Thaçi ndryshe nga Vuçiç nuk zgjidhet direkt, por nga parlamenti, veç besueshmërisë së tij minimale, së fundi, pas akrobacive me tezat e kufirit. Thaçi gabon kur shpall në mënyrë të njëanshme vetëm lidershipin amerikan të këtij dialogu dhe kur ia hedh të gjithë fajin BE-së; e qortueshme dhe sjellja e tij politike duke i pritur këshilltarët e Merkel& Macron me këmbën e parë” në Prishtinë disa ditë më parë. Çdo krisje e ndarje midis SHBA-ve dhe BE-së jo vetëm vonon, por çon dashur pa dashur ujë te mulliri rus dhe serb.
Kryeministri Kurti nga ana e tij, duhet të sigurojë unitetin e koalicionit qeveritar për çdo vendim, duke mos lejuar të “hyjë ujë në barkën” e qeverisë ende pa mbushur 100 ditët e para. Këtë duhet ta kishte bërë dhe për heqjen e taksës që të mos pësonte “ autogol” qysh në fillim të “ndeshjes”. Asnjë yrrysh nuk ka pse të ketë për Marrëveshjen, sepse veç të tjerash, Serbia do ketë zgjedhjet në Prill e pastaj krijimin e qeverisë së re. Së fundi, kërkënd të mos e gënjejë mendja se mund të ketë marrëveshje, ca më pak të shpejtë me Serbinë, pa një konsensus mbarëpolitik në Kosovë, krahas atij ndërkombëtar. Ndaj asnjë ultimatum nga kushdo nuk “ pi ujë”. Gjithashtu, Kosova tani nuk do nxitim, ndëshkim e paralajmërim, por motivim, ndërgjegjësim dhe ndërmjetësim./argumentum.al/
© Argumentum.