Sipas urdhrit, Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jo banka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve. Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
Në urdhër thuhet:
Në bazë dhe për zbatim të nenit 102, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”: ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 12, shkronja “a”, neni 53, pika 4; Statutit të Bankës së Shqipërisë miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 90, date 2.12.2015, neni 11, pika 6; Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë urdhërojnë:
- Të shtyhet afati i pagimit të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët deri në datën 31.05.2020 për të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19;
- Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve;
- Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës;
- Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen të gjitha institucionet e kreditimit të licencuara
Bankat kishin filluar tashmë të kontaktonin me klientët
Bankierët pohojnë se bankat ishin vënë në lëvizje duke kontaktuar klientet e tyre pas Vendimit të marrë nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë për të krijuar kushtet e flexibilitetin në marrëdhëniet e tyre me klientët.
Afati 3 ditor do të mund të krijojë ngarkesë edhe me të madhe këto 3 ditët e ardhshme, kur Bankat edhe pa këtë ngarkesë janë në një regjim emergjence me degë të reduktuara dhe me staf të reduktuar për të ruajtur stafin e tyre nga ekspozimi dhe nga kontakti me persona të pakontrolluar!
Për këtë arsye, këto ditë masivisht një pjesë e mirë e bankave, po promovojnë fort shërbimet online dhe kontaktet në distancë edhe për këtë komunikim, në mënyrë qe te evitohen kontakte fizike dhe ekspozim të stafit ndaj rrezikut të Coronavirusit!