Kuvendi i Shqipërisë publikoi të enjten draftin e Planit Strategjik të Kuvendit, me qëllim që edhe publiku të njihet dhe adresojë komentet lidhur me patformën “Konsultimi i Planit Strategjik”.
Në një njoftim për mediat, Kuvendi sqaron se hartimi i këtij plani strategjik ka nisur në qershor dhe financohet nga qeveria Zvicerane dhe po zbatohet nga OSBE dhe Instituti Demoraktik Kombëtar (NDI).
“Në kuadër të procesit të konsultimit të jashtëm, me qëllim respektimin e parimit të transparencës dhe për një Kuvend të hapur e sa më pranë qytetarit, është bërë publikimi online i draftit të Planit Strategjik të Kuvendit”,- bën me dije Kuvendi.
“Në këtë mënyrë publiku ka mundësi të njihet dhe të adresojë komente apo sugjerime konkrete nëpërmjet komunikimit në faqen zyrtare të Kuvendit, platforma “Konsultimi i Planit Strategjik””,- vijon njoftimi.
“Puna për hartimin e të parit Plan Strategjik për Kuvendin e Shqipërisë ka nisur më qershor të vitit 2019. Hartimi dhe miratimi i tij është një nga prioritetet e Kuvendit, adresuar në rezultatet kryesore të projektit “Për mbështetjen e Parlamentit dhe Edukimin Qytetar” (PACEP) që financohet nga Qeveria Zvicerane e dhe që po zbatohet nga OSBE dhe Instituti Demokratik Kombëtar (NDI). Më poshtë linku i draftit për konsultim publik: http://konsultimi.parlament.al/”,- theksohet në njoftimin e publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë./ata