Presidenti Ilir Meta, dekretoi të mërkurën në mbrëmje 4 zonja si ministre të qeverisë Rama, duke lënë sërish jashtë ministrinë e jashtme.
Ministre e infrastrukturës dhe energjisë është Belinda Balluku, ministre e financave dhe ekonomisë është Anila Denaj, ministre e arsimit, sportit dhe rinisë është Besa Shahini dhe ministre e kulturës është Elva Margariti.
4 dekretet e sotme e plotësojnë në tërësi kabinetin qeveritar, i cili ka mbetur pa titullar në një sektor me rëndësi të veçantë si diplomacia.
Presidenti Meta sërish nuk dekretoi ministrin e ri të jashtëm, të propozuar nga kryeministri Rama, Gent Cakaj, ashtu si katër ditë më parë kur firmosi 4 dekrete për ministra të rinj.
Zoti Meta tha për shtypin nga Kavaja se “për të gjithë emrat e rinj, apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë, po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre, në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”.
Ai i bëri këto komente pas pyetjeve për mosdekretimin e Genti Cakajt dhe për mosshkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. Presidenti Meta siguroi se do të respektohen afatet kushtetuese, dhe se përgjigja e tij do të varet nga përgjigja e institucioneve që iu është drejtuar Presidenca.Presidenti nënshkroi në fundjavë shkarkimet për ministrat e larguar nga kryeministri Rama, përveç ministrit të jashtëm Ditmir Bushati.Nga 9 propozimet e kryeministrit, ai dekretoi vetëm 4 prej tyre; zëvendëskryeministrin Erion Braçe, ministrin e bujqësisë Bledi Çuçi, ministrin për mbrojtjen e sipërmarrjes Eduard Shalësi dhe ministren për marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali.