Qeveria do të mbështesë me 370 milionë dollarë bizneset për t’i mbrojtur nga falimentimi. Por ekspertë të ekonomisë i thanë DW-së, se kjo është e pamjaftueshme dhe duhet rritur ndihma.
Çdo ditë identifikohen raste të reja të infeksionit me COVID-19. Të premten, (20.02.2020) numri i të prekurve nga COVID-19 u rrit 35 herë në krahasim me 11 ditë më parë, kur kishte vetëm dy raste. Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik thanë për DW, se numri të prekurve arriti në 70 dhe ai i atyre që janë testuar në 732.
Tirana është qyteti më i prekur me 50 të infektuar, i ndjekur nga Fieri me 7 raste, Durrësi me 5 dhe Lushnja, Elbasani dhe Rrogozhina me 2 . Por numri i viktimave mbetet vetëm 2 gra të moshuara, me histori udhëtimi në Itali. Në ditët në vijim autoritetet parashikojnë një “furtunë” rastesh të reja.
Kryeministri Edi Rama ka forcuar më tej masat e mbrojtjes dhe vetë-izolimit të qytetarëve. Në rrugët e Shqipërisë ka dalë ushtria dhe policia për të ndëshkuar këdo që thyen rregullin: dalje nga vetë-izolimi në shtëpi vetëm 4 orë paradite dhe 4 orë pasdite, të pashoqëruar me asnjë person. Nga dita e shtunë (21.03) pas orës 13:00 do të ndalohet qarkullimi i lirë. Hapur janë vetëm farmacitë, supermerkatet, dyqanet e bukës dhe fruta-perimeve. Humbjet ekonomike të biznesit të vogël dhe të mesëm, shërbimeve, aktivitetit tregtar dhe prodhues janë të mëdha.
Qeveria garanton 370 milionë dollarë për mosfalimentim
Për të mbrojtur biznesin nga falimentimi dhe për ta zbutur krizën nga COVID-19, qeveria miratoi një plan masash financiare që hyri në fuqi të premten (20.03).
Në një komunikatë zyrtare kryeministri Rama njoftoi, se qeveria vë në dispozicion të situatës 370 milionë dollarë. Nga kjo shumë 25 milionë janë për shëndetësinë, për të përballuar rritjen e pritshme të numrit të të infektuarve; 100 milionë për kompanitë që nuk mund të paguajnë të punësuarit e tyre; 65 milionë për shtresat në nevojë dhe ata që nuk mund të punojnë për shkak të urdhërit për vetë-izolim. Në planin e masave financiare prej 370 milionë dollarë, bën pjesë dhe shlyerja e kamat –vonesave për pagesat e faturave të energjisë elektrike me vlerë prej 150 milionë dollarë, nga e cila theksoi kryeministri, përfitojnë 211.024 familje.
Ky plan përfshin edhe përgjysmimin e pagave mujore të ministrave dhe deputetëve për gjithë kohën e zgjatjes së krizës së COVID-19.
Ekspertët ekonomikë: Hap pozitiv, por i pamjatueshëm
Dr. Selami Xhepa, ekspert i njohur në Shqipëri në fushën e ekonomisë thotë për DW, se mbështetja financiare e qeverisë “është një hap me rëndësi në adresimin e një problematike serioze që lidhet me paralizimin e jetës ekonomike të vendit për shkak të krizës nga virusi korona. Por mbështetja financiare duhet të ishte më e fortë dhe më ambicioze, 500 milionë Euro, si një stimul i fortë për të parandaluar rënien ekonomike, por shpresoj që qeveria të reagojë sipas zhvillimit të situatës,” thekson për DW eksperti Selami Xhepa
Dr. Zef Preҫi, Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonmike thotë për DW, se mbështetja financiare e qeverisë është në linjë me atë që po bëjnë të gjitha qeveritë në vendet që janë prekur nga virusi vdekjeprurës. “Është një hap i domosdoshëm, në drejtimin e duhur në përpjekje për të zvogëluar ndikimet negative shumë-dimensionale të krizës së shkaktuar nga pandemia. Por i pamjaftueshëm. Shuma e ofruar ndaj sipërmarrjeve dhe shtresave më në nevojë të shoqërisë është e vogël dhe nën kapacitetet reale të buxhetit të shtetit dhe ekonomisë kombëtare në tërësi” thotë për DW, Zef Preҫi.
Argumenti i tij është përqindja e ulët që 370 milionë dollarë përbëjnë vetëm 1,5 % në Prodhimin e Brendshëmn Bruto, GDP ( Gross Domestix Pruduct) të Shqipërisë. “Qeveria gjermane, franceze dhe ajo amerikane kanë vënë në dispozicion fonde të barabarta përkatësisht me 14%, 11% dhe 7% të GDP-së së vendit të tyre, kurse Shqipëria vetëm 1,5%. Mbështetja financiare prej 370 milionë dollarë është larg nevojave të ngutshme të sektorëve më të prekur nga kriza si ai i industrisë fason, shërbimeve dhe turizmit. Ajo po ndërmerret pa rishikuar buxhetin e shtetit 2020 dhe duke lënë jashtë angazhimit sitemin bankar dhe juridik të vendit,” thekson për DW, Zef Preҫi.
Zef Preҫi
Kohë zgjatja e pandemisë dhe kriza ekonomike
Kërcënimi për krizë dhe rënie ekonomike mbetet gjithësesi i pranishëm dhe i lartë. Selami Xhepa thotë për DW se ” janë të shumta gjasat që vendi të futet në recession ekonomik”. “Nëse mbyllja e vendit do të vazhdojë deri në qershor ka rrezik që vendi të futet në recesion, duke shënuar rrritje ekonomike negative për dy tremujorët e parë të këtij viti”, thotë ai.
Selami Xhepa e sheh situatën ekonomike nga pandemia e COVID-19 në vijim të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të kaluar, “që paralizuan jetën ekonomike në të gjithë korridorin Tiranë-Durrës dhe dhanë goditje serioze në sektorë me rëndësi si turizmi dhe shërbimet. Tani pandemia godet industritë prodhuese. Ndërkohë plani i rindërtimit nga pasojat e tërmetit ka mbetur në letër dhe investimet private duken të paqëna,” thekson Selami Xhepa.
Zef Preҫi mendon, se “kriza në ekonominë shqiptare është e pranishme në vazhdimësi”. Argumentat e tij janë mungesa e prodhimit vendas, një ekonomi që bazohet në shërbime, në eksportimin e fuqisë punëtore dhe lëndëve të para të papërpunuara. „Braktisja e vendit tregon praninë e krizës”, thekson ai.
Si masë urgjente nga qeveria ai konsideron rishikimin e ligjit për buxhetin e shtetit 2020 dhe integrimin në ligjin e riparë të planit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe planin e tanishëm të mbështetjes financiare për të shmangur falimentimin e bizneseve dhe rënien ekonomike.