Nga Shaban Murati
Kam pritur me kureshtje që nga 26 nëntori i vitit 2018 reagime dhe qëndrime të qeverive, të opozitës, të partive politike, të mediave, të shoqërisë civile,etj. në Tiranë dhe në Prishtinë, për propozimin futurist, që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama paraqiti në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës në qytetin e Pejës.
Duket ishte një ide dhe projekt i përpunuar, përderisa u paraqit edhe brenda mureve të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive,edhe jashtë mureve të saj në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e Prishtinës. Ja deklarata befasuese e kryeministrit: “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike për afat të gjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë”.
Është hera e parë, që nga viti i largët 1948 i shuarjes së partneritetit strategjik katërvjeçar të Shqipërisë me Serbinë, që një kryeministër i Shqipërisë propozon partneritet strategjik të Shqipërisë me Serbinë. Kjo është kaq jonormale, sa që kam menduar se do të ngrejë stuhi reagimesh mbarëshqiptare, njësoj si ideja tjetër e ndryshimit të kufijve apo e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ide të cilën qeveria e Tiranës e mbështet. Nuk ndodhi kjo, për shkak se politika, mediat dhe publiku ishin të përqendruar në zhurmën për çështjen e taksës 100 për qind të Kosovës ndaj mallrave serbe. Nuk ndodhi, ndoshta edhe sepse sensorët publikë dhe kombëtarë janë në pushim gjithëvjetor.
Të propozosh vendosjen e partneritetit strategjik midis dy shteteve nuk është si t’i thuash fjalë kortezie diplomatike një përfaqësuesi të një shteti tjetër në një darkë zyrtare apo në një koktej. Partneriteti strategjik, si formë e lartë e bashkëpunimit dhe e miqësisë midis dy shteteve, kërkon një periudhë të gjatë zhvillimi, provash dhe garancish se marrëdhëniet midis dy shteteve kanë arritur atë fazë lulëzimi, sa të bëhen bashkëprotagonistë të objektivave të mëdha shtetërore dhe kombëtare.
Zakonisht lidhet me bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë të dy shteteve, pavarësisht se mund të shtrihet edhe në fusha të tjera. Sepse sipas manualeve diplomatike, koncepti i partneritetit strategjik presupozon përdorimin e fuqisë së shtetit dhe të kombit në bashkëpunim të ngushtë me shtetin partner strategjik për të realizuar interesat kombëtare. Në“Strategjinë e Sigurisë së Europës” të vitit 2003 përcaktohet nga BE “zhvillimi i partneritetit strategjik me ato shtete, që ndajnë qëllimet dhe vlerat tona dhe janë gati të veprojnë në mbështetje të tyre”.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk të japin asnjë parametër që të mendosh se plotësojnë kushtet për të arritur tek faza e lartë e partneritetit strategjik. A e dini se, që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë në janar të vitit 2001, nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje e rëndësishme dypalëshe? A e dini se me Serbinë, Shqipëria ka më pak marrëveshje të nënshkruara se sa me çdo shtet tjetër ballkanik?
A e dini se sot e kësaj dite Serbia akoma nuk ka nënshkruar as edhe marrëveshjen rutinë të njohjes reciproke të diplomave midis dy vendeve, të cilën presidenti serb Aleksandër Vuçiç ia premtoi kryeministrit shqiptar qysh në vitin 2014 se do ta nënshkruante, një marrëveshje që Shqipëria ia ka paraqitur palës serbe që në vitin 2002. Dhe a e dini se presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk ka denjuar akoma t’i dërgojë Shqipërisë urimet protokollare për Festën Kombëtare të 28 nëntorit 2018? A mund të guxojë kush të mendojë sot se Beogradi befas qenka bërë kaq i afërt, sa që mund t’i bashkëngjitet Shqipërisë në realizimin e objektivave të saj kombëtare?
Serbia është në një nga fazat më agresive diplomatike dhe politike, kombëtare e ndërkombëtare, kundër gjysmës së kombit shqiptar, që quhet shteti i Kosovës. Serbia ndodhet në kulmin e fushatës së saj armiqësore për bllokimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Gjashtë ditë para mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, Serbia sapo kishte bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Serbia gjatë gjithë vitit 2018 organizoi një nga fushatat më të egra diplomatike me presione mbi shtetet e vegjël të Afrikës apo Azisë për tërheqjen e njohjeve, që ata i kanë bërë shtetit të pavarur të Kosovës.
Madje arroganca e Beogradit arriti deri në atë pikë të palejueshme, sa që kryeministrja e Serbisë i lejoi vetes të drejtën t’i kërkojë me letër zyrtare kryeministrit të Shqipërisë që Shqipëria të tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës.
Serbia edhe pas 20 vjetësh të agresionit të saj në Kosovë nuk ka kërkuar ende falje për krimet masive, gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër popullit shqiptar të Kosovës. Presidenti i tanishëm serb, zëvëndëskryeministri dhe ministër i jashtëm i tanishëm dhe kryetarja e tanishme e parlamentit të Serbisë, kanë qenë pjesë e qeverisë kriminale të Sllobodan Millosheviçit. Serbia po lufton ditë e natë të zhbëjë pavarësinë e shtetit të pavarur të Kosovës dhe e ka sanksionuar në kushtetutën e saj pretendimin për pronësinë koloniale mbi Kosovën.
Shqipëria dhe Serbia në gjashtë vitet e fundit nuk kanë ndonjë kthesë frymëlënëse pozitive në marrëdhëniet e tyre, përveç planit retorik dhe virtual për “familjen ekonomike ballkanikoperëndimore”, për “mbrëmjet e përbashkëta të rinisë”, etj. Beogradi vazhdon ndaj Shqipërisë të njëjtën politikë asimetrike, që ka ndjekur gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. Nuk mund të gjesh as për së afërti dhe as për së largëti ndonjë argument, që vërteton statusin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë si dy shtete, që kanë kaluar fazën edhe provat e miqësisë dhe të bashkëpunimit deri në atë shkallë, sa që tani u ka mbetur vetëm hyrja në statusin e partnerëve strategjikë me njeri-tjetrin.
Nuk ka kohë më jashtë kohe,se sa tani në këtë situatë, kur marrëdhëniet midis dy shteteve ende nuk meritojnë përkufizimin “normale”, të hedhësh idenë e një partneriteti strategjik me Serbinë. Kjo do të thotë t’ia fshish Serbisë të gjithë mëkatet dhe krimet ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar, dhe të kodifikosh inferioritetin si“partneritet strategjik”. Ideja futuriste dhe e rrezikshme e partneritetit strategjik të Shqipërisë me Serbinë shpreh një gjendje konfuze të boshtit të politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Koncepti dhe statusi i partneritetit strategjik nuk duhet ngatërruar me konceptin “marrëdhënie miqësore”, të cilat i ndërton me çdo shtet.
Duhet kuptuar nga shteti dhe diplomacia shqiptare se koncepti dhe statusi i partneritetit strategjik është fazë specifike e marrëdhënieve specifike midis dy shteteve, të afërt në politikë, në interesa gjeopolitike dhe në strategji. Për të ilustruar se sa i rëndësishëm është statusi i partneritetit strategjik, po përmendim se Rusia dhe Kina, dy shtete të mëdha anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, kanë nënshkruar në Ballkan traktate të partneritetit strategjik vetëm me Serbinë dhe me asnjë shtet tjetër ballkanik.
Statusi i partneritetit strategjik nuk është dekoratë, që i jepet çdo shteti apo çdo udhëheqësi, që të del rrugës dhe krijon marrëdhënie të mira personale. Në vitin 2013 qeveria shpalli trekëndëshin e parterëve strategjikë në rajon, një përcaktim që u vlerësua i drejtë në kohën, kur faktori shqiptar i dy shteteve shqiptare duhet të vendoste një ekuilibër gjeopolitik në Ballkan dhe kur sapo ishte nënshkruar marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në prill 2013.
Por befas pas kësaj, Shqipëria në mënyrë frenetike nisi të shpallë njeri pas tjetrit partneritete të reja strategjike me Austrinë, me Gjermaninë, me Kroacinë, etj. për të ardhur tek propozimi i habitshëm i 26 nëntorit 2018 për partneritet strategjik me Serbinë. Duke rendur për të shtuar artificialisht listën e partnerëve të saj strategjikë, Shqipëria po humbet kredibilitetin ndërkombëtar në marrëdhëniet me partnerët realë strategjikë të saj.
Ideja e partneritetit strategjik të Shqipërisë me Serbinë nuk është as origjinale dhe as shqiptare. Për hir të së vërtetës historike duhet thënë se ai është një propozim i vjetër i Serbisë, të cilën ia ka paraqitur qeverisë shqiptare të kryeministrit Fatos Nano qysh në dhjetor të vitit 2004 ministri i jashtëm serb Vuk Drashkoviç gjatë vizitës së tij në Shqipëri, dhe i cili e deklaroi këtë propozim edhe në konferencën e tij të shtypit në Tiranë.
Për këtë kam shkruar në librin tim”Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës”, ku tërheq vëmendjen për iluzionin e diplomacisë shqiptare të periudhës postkomuniste, sipas të cilit Tirana dhe Beogradi mund të zhvillonin qetësisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre, pavarësisht se çfarë bënte, çfarë kërkonte dhe çfarë pretendonte Serbia për Kosovën. Konkretisht nga libri: “Zyrtarë të diplomacisë shqiptare të periudhave të ndryshme me naivitet ranë pre e këtij iluzioni dhe kjo e shtyri entuziazmin e ministrit të jashtëm të Serbisë, Vuk Drashkoviç, deri në pikën që gjatë vizitës së tij në Tiranë të pretendonte për partneritet strategjik mes Serbisë dhe Shqipërisë”. (Tiranë, 2007, fq.93).
Duke qenë ide me origjinë serbe, kjo don të thotë se kryeministrit të Shqipërisë duhet t’ia kenë sugjeruar këshilltarët e tij jugosllavë, qëmban rreth vetes, dhe për të cilët ka një obsesion të pashpjegueshëm gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së tij. Këshilltarët jugosllavë me siguri nuk i kanë rrëfyer origjinën e kësaj ideje, dhe kryeministrit duhet t’i jetë dukur si një ide e bukur artistike, të cilën e lëshoi jo rastësisht në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive./Dita/