Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë bën me dije se për shkak të kushteve atmosferike të rënduara që vijojnë të jenë prezentë në vendin tonë, është marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në disa shkolla.
Në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë, Përmet, Kukës, Tropojë, Has, Dibër, Mat, Bulqizë, Korçë, Pogradec, Devoll, Mirditë dhe Malësi e Madhe, është pezulluar procesi mësimor për të gjithë nxënësit.
Ndërkaq, në 6 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është ndërprerë në disa shkolla si: Shkodër në 28 shkolla, Gramsh në 4 shkolla, Vlorë në 2 shkolla, Lezhë në 3 shkolla, Kolonjë në 4 shkolla dhe Delvinë në 1 shkollë.
Në Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore: Elbasan, Peqin, Tiranë Qytet, Tiranë Qark, Kavajë, Durrës, Fier, Lushnjë, Krujë, Kuçovë, Berat, Skrapar, Laç, Sarandë, Mallakastër etj, mësimi zhvillohet normalisht ose me orë të reduktuara.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë vijon të jetë në monitorim dhe kontakt të vazhdueshëm me institucionet e varësisë dhe drejtuesit e prefekturave për menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të kushteve atmosferike./ata/