Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE*
Më në fund, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së më 24 Mars na e dha PO-në e shumëpritur për çeljen e negociatave të antarësimit. Me shumë vonesë, 6 vjet pas statusit kandidat dhe tre vjet pas rekomandimit nga Komisioni Europian.
Ajo ishte e prishme pas JO-së së hidhur të 18 Tetorit të kaluar, të cilën e lehtësoi mjaft Metodologjia e re e Zgjerimit e 5 Shkurtit; kompromisi që akomodoi qëndrimet e Francës, Holandës e ndonjë vendi tjetër me ato të shumicës mbështetëse të BE-së. Veç kësaj, në kushtet e pandenemisë globale COVID – 19 kjo PO ishte shpërblim i vonuar dhe pa kosto shtesë i BE-së, më shumë si mesazh politik i mirëpritur gjeopolitik.
Padyshim që ky vendim pozitiv është ngjarje dhe hap i mirëpritur; ai shënon progres në rrugën e integrimit europian, për të cilën politika, përfshirë dhe opozitën por sidomos mazhoranca dhe qeveria ka meritat e saj. Krahas Presidencës e sidomos Kuvendit, i shquar për diplomacinë aktive parlamentare dhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, përgëzimet më të mëdha natyrshëm i takojnë qeverisë dhe institucioneve të saj përkatëse.
Në radhë të parë do vlerësuar puna dhe profesionalizmi i atyre dhjetra e dhjetra ekspertëve të dikastereve të linjës që kanë qenë e mbetën tejet të përkushtuar në këtë proces historik.
Është gjithashtu momenti për të evidentuar punën plot përkushtim dhe profesionalizëm të përfaqësive tona diplomatike dhe, në mënyrë të veçantë, asaj në Bruksel. Kjo e fundit gëzon reputacion në kancelaritë europiane për cilësinë dhe vëllimin e jashtëzakonshëm të punës dhe demarsheve me Komisionin/Parlamentin Europian, me think tanks, median, miq e dashamirës si dhe me Belgjikën e Luksemburgun që i mbulon direkt.
Padyshim që në këtë arritje ka rolin e saj të rëndësishëm MPJ-ja me drejtoritë përkatëse; është pozitiv fakti që, veç të tjerash, një zv.ministër, drejtorja e Përgjithshme, ajo e BE-së dhe të tjerë në këtë Ministri kanë qenë titullarë dhe diplomatë aktivë në Bruksel. Padyshim që përvoja e tyre dhe shumë ekspertëve të tjerë përbën një bazë solide dhe në procesin e negociatave ku kërkohen burime të shumta të specializuara njerëzore.
Gjithsesi, ky lajm nuk është rast për festë dhe shampanjë. Sepse, 20 vjet pas fillimit të këtij procesi, ne tani mezi po i çelim negociatat, kryesisht për fajin tonë, kur « simotrat » tona brenda 15 viteve u antarësuan në BE dhe në zonën Schengen!
Ca më tepër që tani dhe në muajt në vazhdim, kërkohet dhe më shumë kujdes, përgjegjësi dhe mobilizim, në radhë të parë për ta bërë sa më shpejt realitet dhe vetë PO-në në fjalë. Sepse duke qenë me « bishta » dhe me plot 15 kushte, njeri më « drithërues » se tjetri, ajo do të duhet të kalojë në disa stacine të tjera përpara se të çelen negociatat, pasi nuk ka një datë të caktuar. Sepse kjo PO mbetet ende në parim. E kemi fjalën për përgatitjen e kornizës përkatëse nga Komisioni Europian dhe miratimin e saj nga Këshilli i BE-së, Konferencën Ndërqeveritare dhe mbi të gjitha plotësimin e të paktën dy prej kushteve kryesore – përshpejtimin e përfundimit të reformës së drejtësisë dhe reformën zgjedhore me komponentët e tyre të shumtë.
Një piknisje e tillë e shpejtë dhe e mbarë do të jetë premtuese për procesin e gjatë, të ndërlikuar dhe sfidues të negociatave. Themi kështu, sepse nëse deri dje për përfundimin e tyre duheshin nga 5 – 10 vjet, në vartësi të situatave të brendshme dhe të jashtme, Metodologjia e re e Zgjerimit e ka bërë shumë më të paparashikueshëm këtë proces. Falë thjeshtimit të kapitujve negociues nga 35 në shtatë, fare mirë negociatat mund të përfundojnë shumë shpejt, veçse me kusht që
në vendin tonë të mos ketë kriza e konflikte të stërzgjatura dhe të plotësohen sipas kalendareve të gjitha kushtet dhe kriteret e caktuara.
Në fakt, këto të fundit kanë qenë dhe më parë, por dallimi tani është se verifikimin dhe vlerësimin e tyre nuk do të bëjë më si deri tani vetëm Komisioni Europian me shërbimet e tij, por të 27 vendet antare veç e veç në çdo fazë; dhe jo vetëm me MPJ-së apo parlamentet e tyre por dhe të gjitha dikasteret e linjës dhe agjencitë përkatëse, duke përfshirë dhe shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare. Shkurt, do të na duhet të kalojmë vërtet « në vrimë të gjilpërës »
Por kjo është vetëm gjysma e të keqes dhe ndoshta më e lehta. Gjysma tjetër dhe më e vështirë qëndron te vendi ynë, te politika e tij. Përvoja e 30 viteve të fundit, duke përfshirë dhe ngjarjet e vitit 1997 dëshmojnë se politikanët tanë shquhen më shumë për prodhimin e krizave dhe konflikteve, por kur vjen puna për zgjidhjen e tyre lëshojnë « SOS » për « zjarrfiksit » ndërkombëtarë.
Nëse politika jonë do të nxjerrë mësimet e duhura së fundi dhe nga koronavirusi, atëhere përparimi i shpejtë dhe sidomos « kulaçi » i BE-së nuk do të na mngojë; madje, në Samitin e Zagrebit do të miratohet paraprakisht dhe një plan i madh ndihmash dhe investimesh që ky proces të jetë i prekshëm për çdo qytetar.
Ndërsa në rastin e një mosarritjeje ose dështimi, dhe « kërbaçi » do të jetë dhe më i fortë; atë do të kemi te koka me sanksione të ndryshme, nga ndërprerja dhe pezullimi i negociatave e në rastin më të keq që nuk e dëshirojmë aspak me « rënien nga kategoria » dhe rinisjen e procesit nga e para.
Ndaj, në vend të sofizmave, lodrave me fjalë për lustrimin apo dhe nxirrjen e realiteteve e ca më keq akoma të grindjeve për meritat dhe mëkatet e njerit apo tjetrit, kërkohet përgjegjësi e lartë për të mënjanuar të metat dhe mangësitë e mëparshme dhe veprime të përbashkëta në një front të madh mbipartiak pune integruese. Ja pse, PO-ja europiane, ndonëse me plot « por » probleme e pritshmëri kërkon dhe një filozofi dhe mbi të gjitha një praktikë të re pune nga shumica parlamentare dhe opozita, brenda dhe jashtë Kuvendit, nga media, publiku dhe shoqëria civile në të gjitha aspektet. Me objektiv caktimin e një date për fillimin sa më të shpejt dhe zhvillimin e negociatave pa vonesa dhe përplasje, që ato jo vetëm të mos shtyhen, por as të mos ndërpriten e ca më pak të nisin nga e para; që me këtë PO të fortë të mos na ndodhë si me « dardhën që e ka bishtin prapa »/argumentum.al/
*Autori është diplomat karriere dhe antar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë; në vitet 2001- 2005 ka qenë Nr. 2 i Ambasadës sonë në Berlin si dhe në Ambasadën dhe Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel në vitet 1997-2001 dhe 2011-2017. Ka shkruar disa libra, duke përfshirë “ Berlini pa mure” dhe shumë analiza politike dhe diplomatike mbi Gjermaninë, BE-në, etj.
© Argumentum.