Hapja me çdo kusht e negociatave me Bashkimin Evropian në qershorin e këtij viti. Këtë synim i ka vënë vetes pala shqiptare, teksa e “ka blinduar” veten edhe me strukturat përkatëse që do ta udhëheqin një proces të tillë.
Për këtë, tashmë është zyrtarizuar vendimi i fundit i qeverisë për “Krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Sipas tij, “struktura e negociatave ka si qëllim arritjen e këtyre objektivave:
a) realizimin e procesit të shqyrtimit të përafrimit dhe të vlerësimit të legjislacionit të brendshëm me acquis të Bashkimit Evropian;
b) përcaktimin dhe hartimin e qëndrimeve negociuese të Republikës së Shqipërisë për secilin kapitull të acquis të Bashkimit Evropian;
c) negocimin dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
“Struktura përgjegjëse për negociatat përbëhet nga:
a) Komiteti Shtetëror për Integrimin Evropian;
b) Delegacioni Shtetëror;
c) grupi negociator;
ç) Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
d) Sekretariati i Integrimit Evropian;
dh) grupet ndërinstitucionale të punës;
e) Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian.“
2. Organizimi, veprimtaria, funksionimi dhe bashkërendimi i punës së strukturave midis njëratjetrës dhe më gjerë kryhen me akt të veçantë”, sqaron gjithashtu vendimi.
Ku “Komiteti Shtetëror për Integrimin Evropian krijohet si organi më i lartë që siguron mbikëqyrjen e strukturës së negociatave dhe bashkërendimin e qëndrimit negociues për secilin kapitull të acquis, përpara miratimit nga Këshilli i Ministrave”.