Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Redion LULI*
Thirrja e këtij samiti u iniciua nga Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin më datë 23 janar 2020 në Jeruzalem gjatë fjalës së tij në Forumin përkujtimor të viktimave të Holokaustit. Iniciativa u përkrah nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron, si dhe nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping. Putin deklaroi se këto shtete kanë një “përgjegjësi të veçantë për të ruajtur civilizimin”, dhe për këtë arsye ato duhet të jenë shembull për shtetet e tjera. Para pak kohësh kjo nismë gjeti edhe mbështetjen e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump. I fundit nga liderët e “pesë fuqive bërthamore”, i cili iu përgjigj pozitivisht propozimit për organizimin e këtij samiti, ishte kryeministri britanik Boris Xhonson.
Palët ende nuk kanë rënë dakord as për vendin e as për kohën e takimit. Megjithatë, sipas deklaratës së Ambasadorit të SHBA-ve në Federatën Ruse, John Sullivan, Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar që takimi i krerëve të “pesë fuqive bërthamore” të zhvillohet në margjinat e sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork. Agjenda e samitit të mundshëm nuk është diskutuar ende. Sipas Sullivan, agjenda në fjalë mund të përfshijë diskutime mbi kontrollin e armatimeve. Një diskutim mbi këtë temë do të ishte në përputhje me frymën dhe thelbin e bisedimeve mbi stabilitetin strategjik që Uashingtoni dhe
Moska kanë zhvilluar përgjatë dy viteve të fundit. Takimi në Nju Jork do të ofronte një mundësi për përfshirjen e Kinës në negociatat për kontrollin e armatimeve, çka përbën edhe qëllimin e Trump.
Një nga temat kryesore të bisedimeve mund të jetë e ardhmja e Traktatit të Reduktimit të Armëve Strategjike (më tej – START III). Fuqia juridike e këtij traktati të nënshkruar në vitin 2010 mes presidentëve të SHBA-ve dhe Federatës Ruse, Barak Obama dhe Dmitri Medvediev, përfundon më 5 shkurt të vitit 2021, nëse nuk do të nënshkruhet marrëveshja për shtyrjen e afatit kohor të tij për 5 vite të tjera. Mbi Trump po ushtrohet trysni nga ana e Kongresit amerikan, Pentagonit, drejtuesve të Federatës Ruse, si dhe nga aleatët ndërkombëtarë për ta shtyrë afatin kohor të veprimit të START III. Shtyrja e afatit të START III kërkohet me ngulm nga Pentagoni: sipas fjalëve të Zv. Komandantit të Komandës strategjike të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, Dave Kriete, “START III do të na japë të paktën disa garanci, që arsenali bërthamor i tyre (Federatës Ruse – shënim i autorit) kufizohet me diçka”.
SHBA-të mendohet se do të kërkojnë që në dispozitat ligjore të START III të përfshihen kufizime të potencialit bërthamor i Kinës dhe armët taktike bërthamore të Rusisë. Sipas ekspertit të Qendrës analitike të strategjive dhe teknologjive të Rusisë Konstantin Makienko, për shkak të epërsisë së NATO-së në armët konvencionale, Rusia ruan arsenalin e armëve taktike bërthamore dhe nuk e deklaron sasinë e tyre, duke vështirësuar bisedimet për shtyrjen e afatit të veprimit të START III.
Kujtojmë se preteksti për tërheqjen e SHBA-ve nga Traktati mbi raketat me fushë të mesme dhe më të shkurtër veprimi (ang. INF Treaty) ishte akuza se Rusia dispononte në arsenalin e saj të armëve një raketë “cruise” që shkelte dispozitat e kësaj marrëveshjeje.
Sipas statistikave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime në Stokholm, Rusia kryeson listën për nga numri i mbushjeve bërthamore që posedon, plot 7 000 koka bërthamore, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6 800, pastaj vjen Franca me 300, e ndjekur nga Kina me 270, pesëshen e mbyll Mbretëria e Bashkuar me 215 mbushje bërthamore.
Me sa duket me kushtet e vendosura nga SHBA-të shtyrja e afatit kohor të START III do të jetë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Shpresat e Presidentit Donald Trump për përfshirjen e Kinës në Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike duken të vakta, pasi më datë 6 mars 2020 Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka deklaruar zyrtarisht si vijon: “Kina ka përsëritur shumë herë se ne nuk kemi ndërmend t’i bashkohemi të ashtuquajturave negociata trepalëshe të kontrollit të armëve midis Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe ky qëndrim është mjaft i qartë”. Në këtë deklaratë theksohet gjithashtu se mos-pjesëmarrja në bisedimet trepalëshe nuk do të thotë që Kina nuk do të marrë pjesë në përpjekjet ndërkombëtare për çarmatimin bërthamor, por përkundrazi, ajo do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha palët brenda mekanizmave ekzistues ndërkombëtarë për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit strategjik global.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate zyrtare të Ministrisë së Jashtme kineze, ndihmësi i Presidentit Trump për çështjet e sigurisë kombëtare, Robert O’Brien, nuk përjashtoi “negociatat serioze” me Rusinë dhe Kinën në samitin e “pesë fuqive bërthamore” për reduktimin e armëve bërthamore.
Nga ana tjetër, Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Riabkov, ka deklaruar se agjenda e samitit të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB të propozuar nga Presidenti rus Vladimir Putin duhet të jetë më e gjerë se sa versioni amerikan. Çështjet e kontrollit të armëve – me gjithë rëndësinë e tyre – nuk mund të lënë në hije çështjet e tjera.
Sigurisht që idealja do të ishte sikur në këtë samit Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqitë kryesore bërthamore, të mund të theksonin se në një luftë bërthamore nuk ka të fituar, se një luftë e tillë nuk duhet të nisë, si dhe të konfirmonin respektimin nga ana e tyre të dispozitave të START III. Në fazën aktuale të zhvillimeve gjeopolitike t’i detyrosh të pesë shtetet të arrijnë një marrëveshje për kontrollin shumëpalësh të armëve bërthamore është një opsion joreal. Diçka më e arritshme do të ishte nisja e negociatave për çështje “më pak detyruese”, si për shembull, mbi konceptin e ri të stabilitetit strategjik, rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore, sulmet kibernetike etj. Nëse palët do të dëshmonin me akte konkrete se janë në sintoni me njëra-tjetrën lidhur me përballimin e sfidave të lartpërmenduara, ky do të mund të cilësohej si hapi i parë serioz në drejtim të arritjes së marrëveshjes shumëpalëshe për kontrollin e armëve bërthamore. Hapa të tillë duhet të ndërmerren disa, në mënyrë që të mos “trembet” Kina, Britania e Madhe dhe Franca./argumentum.al/
* Pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
© Argumentum