Në këtë numër të rubrikës që e gjeni vetëm te “ARGUMENTUM”, analisti dhe diplomati i njohur, Dr. Jorgji KOTE jep shkurt dhe “shqip” thelbin e 4 ngjarjeve kryesore diplomatike gjatë periudhës 17 – 31 Mars 2020
17 dhe 26 Mars: Samite Video-Konferencë të BE-së kushtuar COVID – 19
Gjithsesi, BE nuk tregoi dot të tregonte anën e saj më të mirë – Solidaritetin, si ADN-ja e saj ndaj Italisë. Për shkak të kundërshtimit nga Gjermania dhe Holanda nuk u pranua propozimi për emetimin e Korona bondeve që bashkë me efektet e mëdha financiare të përballohen nga e gjithë BE-ja por nga vetë Italia. Ky dështim gjithsesi i përkohshëm ndodhi kryesisht për shkak të rregullave, direktivave dhe traktateve tejet të ngurta, të BE-së, të cilat praktikisht vendosin rigorozitetin mbi solidaritetin. Por, shpresohet që Ministrat e Financave dhe Banka Qendrore Europiane gjatë këtyre dy javëve të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mësipërme. Reagimi i shpejtë BE-së në këtë fushë të panjohur më parë do të jetë vendimtar për të ardhmen e saj; kur populistët dhe ekstremistët synojnë të përfitojnë kapital politik nga kjo gjendje, tani që BE-ja ka mbyllur përkohësisht kufijtë, sipas parimit “ o Mete, për vehte”
24 – 26 Mars: Në vijim të rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian të datës 2 Mars 2020, Ministrat e Jashtëm dhe Samiti i BE-së vendosën çeljen e negociatave të antarësimit. Një ‘PO” e vonuar, 6 vjet pasi muarëm statusin kandidat por të shoqëruar me 15 goxha Kushte dhe pa një datë konkrete. Deri në qershor, pritet që Komisioni Europian të caktojë kornizën e këtyre negociatave dhe pas miratimit nga vendet antare, diku nga Tetor-Nëntori mund të mblidhet Konferenca ndërqeveritare që i paraprin çeljes së negociatave. POR, deri atëhere, duhet të kemi plotësuar katër prej atyre kushteve, sidomos reformën zgjedhore dhe atë të drejtësisë, të jetë ngritur Gjyakata e Lartë dhe Kushtetuese, etj. Problemi tjetër i madh është se sipas Metodologjisë së re të Zgjerimit, në mbikqyrjen e negociatave dhe plotësimit të kushteve të tjera të mbetura, veç Komisionit Europian, do të na “ kalojnë në vrimën e gjilpërës” të gjitha vendet antare me institucionet e tyre.
Nëse gjërat nuk do të ecin mirë, do të shkohet deri në ndërprerjen, pezullimin dhe si masë ekstreme, rikthimin e të gjithë procesit nga e para. Meqenëse politika jonë shquhet më tepër për prodhim krizash e konfliktesh, vetëm një konsensus i plotë dhe konkret midis shumicës dhe opozitës mund ta përshpejtojë madje dhe ta shpëtojë këtë proces; gjithsesi, ky vendim për ne dhe Maqedoninë dhe pranimi i saj zyrtar më 27 Mars si antarja e 30 e NATO-është mesazhi i mirëpritur gjeopolitik i BE-së për Ballkanin Perendimor.
5 Mars: Kryeministri Albin Kurti rrëzohet me 82 vota nga Kuvendi i Kosovës: Pavarësisht nga fajet dhe gjynahet e secilit, akti i Kuvendit pas vetëm 52 ditë qeverisje dhe 120 ditë të shpenzuara për krjimin e saj dhe mbi të gjitha përballë kërcënimimit të COVID – 19 është i paprecedentë dhe i pajustifikueshëm. Ai tregoi se klasa politike në Kosovë është jashtë realitetit politik, e prirur nga interesa të çastit, hera herës okulte, edhe pse të “ veshur” me “vello” patriotike.
Në fakt, më shumë se Kurtin, ai votëbesim i dha një goditje tjetët të ardhmes së Kosovës, procesit të ngecur të njohjes dhe motivimit të mëtejshëm të çnjohjes së saj; gjithashtu, i dha “municion” të ri Serbisë në fushatat e saj lobuese agresive ndaj Kosovës. Kurti ka përgjegjësinë e tij, sepse ndonëse politika dhe kauza e tij është e drejtë, ai u soll sikur të ishte fitimtar i vetëm i zgjedhjeve, në vend të logjikës shtetërore përdori “muskujt dhe dhëmbët” dhe u hap në disa fronte njëherazi. Por fajet më të mëdha i kanë aktorët dhe faktorët e tjerë politikë që sillen sikur Kosova të jetë Belgjika; madje kjo e fundit, vendosi t’i japë kompetenca speciale një qeverie të stërzgjatur teknike, vetëm e vetëm për COVID – 19, kurse Kosova rrëzon si pa gjë të keq qeverinë politike të dalë nga zgjedhjet me jehonë të 6 Tetorit 2019. Rënia e Kurtit tregoi dhe një ndarje të re midis SHBA-ve, që le ta themi u nxituan së tepërmi dhe BE-së tejet e ngathët dhe pasive.
Nga ana tjetër, liderët e Kosovës gabojnë rëndë në tentantivat e tyre për të siguruar mbështetjen e njerit aleat kundër tjetrit. Kjo mund të funksionojë përkohësisht, sidomos për ndonjë lider të veçantë, por në një plan më afat – gjatë është i mbarsur me pasoja për Kosovën, dhe më e pakta do të vonojnë më tej procesin. Plus, kësisoj, Prishtina vazhdon “ të çojë ujë në mullirin” rus, kinez, etj. Kësaj i thonë “ për inat të sime vjehrre vete fle me millonanë”
26 – 27 Mars Deklarata e përbashkët e të dërguarit presidencial për Kosovën Grenell, atij të Departamentit të Shtetit Palmer dhe Kosnet, Ambasadorit amerikan në Prishtinë. Aty mohohet kategorikisht prania apo diskutimi prej tyre i një marrëveshjeje për këmbim territoresh, të cilën Grenell e përsëriti dhe në një intervistë më 27 Mars. Ishte lajm i mirë, por prapë nuk na bindi se nuk ka një version të kësaj Marrëvesheje në sirtaret e Departamentit të Shtetit dhe gjetkë. Pastaj, po Thaçi që bëri fushatë kudo mbi një vit me Vuçiç me tezat e kufirit, a nuk kanë një të tillë?
A nuk ishte Palmer që në Shkurt deklaroi se SHBA nuk do të jenë kundër një marrëveshje me mirëkuptimin të dyja palëve? Në fakt, me shtyrjen e zgjedhjeve në Serbi, zgjedhjet e reja të mundshme në Kosovë, afrimin e zgjedhjeve në Amerikë e mbi të gjitha koronavirusinn, nënshkrimi i saj e ka humbur shkëlqimin dhe rëndësinë; tanimë ajo as i ngre dhe as i ul ndonjë pikë Trumpit në fushatën e rizgjedhjes në nëntor që varet shumë nga menazhimi i krizës së COVID – 19t. Ulja në tryezën e bisedimeve këtë vit duket mision i pamundur. Ose pa Kurtin, tani për tani, ndoshta mund të mjaftohen me nënshkrimin e një Marrëveshjeje në parim apo Letër Mirëkuptimi, si ajo e hekurudhës/linjës ajrore, pa ndonjë vlerë juridike, por sa për ta treguar si sukses dhe përparim. Shkurt, “lojë pa top”.
/argumentum.al/
© Argumentum