Thaçi ka hasur në qëndrimin e prerë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, se mund të bisedohet vetëm për një opsion – caktimin e kohës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Kurti, përfaqëson subjektin fitues të zgjedhjeve të fundit, të 6 tetorit, 2019, andaj edhe bisedimet kanë nisur me të, siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se situata e krijuar me pandeminë e koronavirusit, zgjedhjet mund të shtyhen për pak ditë, por sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër.
“Kushtetuta e Kosovës nuk krijon mundësi në kontekstin aktual politik që ne të kemi qeveri të re pa kuvend të ri, pa zgjedhje të reja. Presidenti u zotua që do të respektojë Kushtetutën, ligjin dhe praktikat e mëhershme. Prandaj ne e theksuam qëndrim tonin që presidenti i Kosovës realisht nuk do të duhej të merret me emra njerëzish e parti, por data për zgjedhje të reja në kalendarin e këtij viti”, tha Kurti.
Edhe para se të niste takimin me presidentin Thaçi, kryeministri në detyrë Kurti përmes një letre publike i ka shkruar Thaçit se çështja e vetme që do të bisedojë në takim është koha më e përshtatshme për shpërndarjen e kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve.
“Me shumë kënaqësi do të takohem me ju për të folur për hapat e mëtejmë sipas Kushtetutës, pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Po ashtu konsideroj se zotimi juaj se do të ndërmerrni hapa është shenjë pozitive për Kosovën. Shpresoj shumë se gjatë ditëve në vijim do t’i qëndroni besnik këtij zotimi. Si kurrë më parë Kosova ka nevojë për një president që respekton Kushtetutën deri në çdo pikë e presje të saj”, thuhet në letrën e Kurtit drejtuar presidentit Thaçi.
Për dallim nga Kurti, i cili ka dhënë si opsion që qeveria aktuale në detyrë të vazhdojë punën deri në përfundimin e fazës së pandemisë së shpallur për shkak të koronavirusit dhe më pastaj vendi të shkojë në zgjedhje, Thaçi gjatë këtyre ditëve ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse.
residenti Thaçi gjatë ditës pritet të takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafën dhekryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.