Kuvendi i Republikës vendosi përgjysmimin e pagave të deputetëve për një periudhë 3-mujore. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Byrosë nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Kuvendi bën me dije se Byroja vendosi që, në kuadrin e masave për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, krijuar nga koronavirusi COVID-19, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekur nga masat ndaluese të koronavirusit, paga e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të përgjysmohet për një periudhë tremujore.
Në këtë kuadër, kryetari i Kuvendit, iu është drejtuar me një letër drejtuesve të tridhjetë institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, të marrin të njëjtën nismë, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, si kontribut në lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm.