Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka përditësuar numrin e personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Sipas specialistes së Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, numri i të prekurve ka shkuar në 333 persona, ndërsa deri tani, kanë humbur jetën 18 pacientë. Gjatë 24 orëve të fundit nga testeve e kryera kanë rezultuar pozitivë nga coronavirus 29 qytetarë.
Një 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Pacienti nga kryeqyteti ishte shtruar para 13 ditësh në spital, por gjendja e tij shëndetësore për fat të keq u rëndua dhe për pasojë ndërroi jetë duke e çuar numrin e viktimave në 18. Por, pavarësisht rasteve të shtuara të të prekurve, lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe dhjetë pacientë, mes tyre qytetarë dhe personel mjekësor.
“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit.
Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, tha zonja Dervishi.
Sipas saj, në dy spitalet COVID në vendin tonë aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë, ndërkohë harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 157 raste
– Durrës 33 raste
–Lushnje 5 raste
– Elbasan 9 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 31 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 1 rast
– Has 9 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Specialistja e ISHP-së ftoi qytetarët që të tregojnë kujdes dhe në rast se kanë shenja apo simptoma të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 ose në numrin e gjelbër 0800 40 40.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, u shpreh Marjeta Dervishi.