Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati i cilësoi përgënjeshtrimet publike, sulme të dëshpëruara të politikanëve fondamentalistë të Partisë Demokratike.
“Sot pas intervistës që pata në TV A2 një politikan i PD-së, e quajti “gënjeshtër” argumentin/fakt që solla për masa të ngjashme në Nju-Jork, SHBA mbi qiratë, shprehet Bushati.
Bushati publikon dokumentin që vërteton argumentin që ka cituar dhe kërkon nga politikanë të PD-së, të bëjnë atë që i dikton ndërgjegjja qytetare në respekt të demokratëve në zonën që ka pas përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
“Ftoj politikanët aspirantë të PD të lexojnë edhe shtypin ndërkombëtar ndonjëherë në origjinal; jo vetëm deklaratat e mekura të zotit Lulzim Basha!”, shprehet Bushati.
Deputeti socialist, Ervin Bushati, i ftuar në një intervistë përnjë media foli për aktin më të ri të qeverisë, në të cilin ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla, studentëve dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të pandemisë.
Ky akt normativ u shoqërua me një reagim nga ana e Partisë Demokratike, e cila u shpreh se Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që ka ndërmarrë një akt të tillë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati u shpreh qartë se qeveria shqiptare nuk ka shpikur asnjë nga masat e marra, por ato janë të sinkronizuara edhe me vende të tjera.
“Këto masa zbatohen në Francë dhe në Amerikë. Kategoria e këtyre që jetojnë me qira është më e madhe se ata që japin apartamente me qira. Asnjë sot në Shqipëri nuk do të vdesë për të ngrënë dhe nuk do të vuajë për të ngrënë. Kjo kosto do të ndahet në mënyrë të barabartë me shoqërinë”, shprehu Bushati.
Më tej, deputeti i PS-së theksoi se qeveria ka treguar maturi dhe përkushtim, si në rastin e tërmetit, po ashtu edhe me pandeminë e koronavirusit duke ia dalë mbanë denjësisht dhe me kokën lart.
“Nga ana tjetër ka qenë e admirueshme sjellja e qytetarëve shqiptarë në gjendjen e luftës. Patjetër do të merren masa që ekonomia të mos kolapsojë. Mendoj se qeveria ka treguar maturi shumë të mirë. Ne e shajmë qeverinë, por kemi kaluar dy kriza shumë të forta, tërmeti dhe tani koronavirusi. Masat janë po ato që po merren në të gjithë botën.
Hallka më e dobët në çdo vend të botës sot janë shtresat nën nevojë, nga krahu tjetër janë edhe konsumatorët e këtyre biznese, por ata nuk mund të kërkojnë vetëm për vete. Qeverisja në radhë të parë është për qytetarët”, theksoi deputeti socialist, Ervin Bushati.