“Ne kemi ndaluar pagesat e qirave për një periudhë të caktuar dhe ndërkohë me zgjerimin e paketës do të ndihmojmë edhe për të subvencionuar një pjesë të qirasë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama foli për problemin e atyre që jetojnë me një biznes të vogël, që u mbyllet biznesi për shkak të luftës por duhet të mendojnë edhe për qiranë.
Së pari Rama tha se ata do të përfitojnë “pagë lufte”. Në vijim, Kryeministri foli edhe për vendimin për të ndaluar pagesat e qirave për një periudhë të caktuar, për shkak të pamundësisë së tyre për të paguar.
Ndërsa ata që japin dyqane me qira, sipas Ramës, “tatimin 15 % për këto 2 muaj do ta paguajnë, por mbas periudhës, pra në mënyrë proporcionale me palën tjetër”.
“Asnjëherë nuk thashë se bizneset nuk do ta paguajnë qiranë, thashë që nuk mund t’u kërkohet të paguajnë në kushtet e pamundësisë”, tha Rama.