Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit në vend, pas një konsultimi dy javor, i propozojnë qeverisë një paketë masash me 8 pika kryesore, që sipas tyre do të ndihmonte në rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike nga goditja e marrë nga COVID-19 si dhe nuk do të rrezikonte falimente apo shkurtim stafi.
Konkretisht, bizneset kërkojnë që të kompensohen pagat e punonjësve dhe të përjashtohen nga detyrimet fiskale deri në kthimin në normalitet, kompanitë e transporti të udhëtarëve, sipërmarrjet e hoteleri-turizmit dhe agjencitë turistike, dhe bizneset e vogla dhe të mesme që janë mbyllur; Të përjashtohen nga detyrimet fiskale bizneset që kanë pasur rënie të të ardhurave me 20 për qind, të ulet çmimi i energjisë elektrike me 20 për qind për sipërmarrjet prodhuese, subvencion në masën 50 për qind të qirasë për subjektet që janë mbyllur për muajin mars dhe prill. Të përjashtohen nga detyrimet fiskale dhe të kompensohen pagat e punonjësve të kompanive që kanë pasur rënie të të ardhurave mesatare me 30 për qind; Garancia sovrane të jetë e pa limituar, të përfshijë të gjithë sektorët dhe shlyerja të fillojë në Janar 2021.
Po ashtu bizneset propozojnë, të rishikohet buxheti në funksion të situatës, të shlyhen detyrimet ndaj sipërmarrjeve private brenda kësaj periudhe, si dhe të gjitha donacionet qe qeveria do të marrë në kuadër të COVID-19, të njihen si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal. Ndërkohë, qeveria është duke punuar për të hartuar një tjetër paketë mbështetëse për bizneset.