Nga Marinko Culafic*
Kisha vite që mendoja të hidhja në letër historinë e Rajkos, emigrantit malazez që u largua nga kjo jetë diku në fillim të viteve ’90 buzë portës së kalasë, i braktisur nga të gjithë! Dhe kush nuk e mban mend në ato vite një burrë me thinja që si shtëpi të tij kishte lulishten ngjitur me portën e kalasë, orenditë e tij ishin disa batanije të vjetra me të cilat mbulohesh netëve të ftohta të dimrit dhe në dorë mbante gjithmonë një bllok ku skiconte me laps fustane dhe rroba të ndryshme për gra.
Disa e quanin “të rrjedhur”, disa të tjerë e qerasnin me ndonjë gotë birrë përballë te xhamllëku, dikush i dërgonte dhe për të ngrënë… Në fakt deri në moshën 20 vjeç as nuk e kisha idenë se kush ishte. Një mbrëmje të shtune apo të diele (diku në muajin maj 1990, pasi kisha ardhur pranë familjes nga Shkodra për fundjave, po dilja xhiro bulevardit me një mikun tim të lagjes.
Pranë portës së kalasë pamë si gjithmonë Rajkon me shikimin e tij të humbur në bar dhe ai miku im më pyet një moment nëse e dija që Rajko është patrioti im malazez? Ngela një moment dhe kureshtja më çoi drejt e tek ai njeri me thinja. E përshëndeta në gjuhën tonë malazeze dhe ngaqë nuk e priste më pa drejt e në sy i ngazëlluar…Ai vështrim më ka ngelur në mendje sepse jo vetëm nuk ishte vështrimi i një “të marri”, por më bëri të besoj se para meje kisha një njeri mjaft inteligjent por shumë të vuajtur nga jeta. I tregova se i biri kujt jam dhe pasi më shtrëngoi fort dorën dhe i prekur më tha: – Marinko, qenke rritur goxha. E di ti që foshnje të kam mbajtur në krahët e mi?! Takimi me Rajkon më krijoi emocione të forta dhe kureshtja për të mësuar për historinë e tij më ndoqi deri në shtëpi ku pyeta menjëherë prindërit e mi. Dikur ishte mik i familjes, por fatkeqësisht asnjë nuk guxonte të fliste më për të mbasi ra në burg. Para se të burgosej për agjitacion dhe propagandë Rajko Simonovic ishte një nga revizorët më të zotë në qytetin e Elbasanit dhe kishte një familje të mrekullueshme.
Por duke guxuar në atë kohë të bënte vazhdimisht kritika për cilësinë e drithërave dhe duke i krahasuar me drithërat e Vojvodinës në Jugosllavi, shumë shpejt, i ndjekur dhe i spiunuar nga veglat qorre të regjimit, edhe ai do kishte fatin e atyre që i thonin gjërat troç dhe do të burgosej për disa vjet burgjeve të diktaturës. E shoqja e ndau dhe u largua bashkë me vajzën në Tiranë të detyruar të mohojnë ekzistencën e tij. Pasi doli nga burgu, i dhanë një apartament që të jetonte por ai nuk pranoi dhe vendosi që pjesën e mbetur të jetës ta kalonte i vetmuar pranë portës së kalasë. Tashmë mbas të gjitha vuajtjeve dhe dhunës psikologjike që kaloi nuk i hynte më asgjë në sy… E ndjeva si detyrim moral ta shkruaj me aq sa di dhe mundem këtë histori në respekt dhe kujtim të njërit prej viktimave të diktaturës komuniste!
*Kryetari i KMRSH (Komuniteti Malazez ne Republiken e Shqiperise)