Një strukturë e posaçme ndërinstitucionale do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë, periodikisht, pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë për ecurinë e garancisë shtetërore prej 11 miliardë lekësh për biznesin e madh që ka mbyllur aktivitetin.
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi bën të ditur se vendimi i qeverisë për krijimin e linjës së garancisë shtetërore prej 11 miliardë lekë është publikuar në Fletoren Zyrtare.
“Në funksion të zbatimit të këtij vendimi do të jetë një strukturë e posaçme ndërinstitucionale, e cila do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë, periodikisht, pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë për ecurinë e garancisë shtetërore”, shprehet Ekonomi.
Sipas vendimit të qeverisë, bankat e nivelit të dytë nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë dhe do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85.
Për tre muajt e parë të kredisë, biznesi nuk do të paguaj principal.
Linja e garancisë shtetërore lëshohet në favor të 12 bankave të nivelit të dytë që operojnë në vend, si më poshtë vijon:
– “Raiffeisen Bank”, sh.a., Albania, në vlerën 1 900 000 000 lekë;
– “Banka Tirana”, sh.a., në vlerën 600 000 000 lekë;
– “Banka Union”, sh.a., në vlerën 600 000 000 lekë;
– “Banka Intesa Sanpaolo Albania”, sh.a., në vlerën 900 000 000 lekë;
– “Banka Kombëtare Tregtare”, sh.a., në vlerën 1 900 000 000 lekë;
– “Banka OTP Albania”, sh.a., në vlerën 1 100 000 000 lekë;
– “Banka Procredit”, sh.a., në vlerën 400 000 000 lekë;
– “Banka Alpha Albania”, sh.a., në vlerën 700 000 000 lekë;
– “Banka Amerikane e Investimeve”, sh.a., në vlerën 500 000 000 lekë;
– “Banka Credins”, sh.a., në vlerën 2 000 000 000 lekë;
– “Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, sh.a., në vlerën 100 000 000 lekë;
– “Banka e Parë e Investimeve, Albania”, sh.a., në vlerën 300 000 000 lekë.