Nga Ali HOXHA*
Në kohë lufte (si lufta e parë botërore) përdoreshin armë biologjike për të nënshtruar armikun. Në kohë paqe luftërat e armëve nuk po quheshin më konvencionale, ndaj luftërat e sotme kibernetike që u bënë moda e re mediale përshkruheshin si luftëra moderne. Kjo nënkupton se një shoqëri e shkarkuar plotësisht në sistemin digjital ku i gjithë identiteti njerëzor mund të shpalosej në kompjuter, nuk ishte më e përfitueshme ose e nevojshme një luftë që mund të arrinte përmasat nukleare nga i cili mund të dëmtohej edhe vet sulmuesi. Sot, në kohën e ekonomisë së tregut të lirë, dëmi më i madh bëhet me mjete jo-konvencionale, si p.sh dëmtimi financiar i një korporate globale duke i kompromentuar të dhënat përmes hakerimit. Lufta kibernetike lindi si fushë-betejë e re elektronike. Aspektet e sigurisë ndërkombëtare duhej domosdoshmërisht të fusnin si term studimi edhe mjetet alternative luftarake për të kuptuar mënyrën se si një shtet ose respektivisht një grup i caktuar ideologjik si entitet jo-shtetëror lëviz ose dominon gjeopolitikisht. Më pas lindi koronavirusi, zyrtarisht i lajmëruar për herë të parë në Kinë e më pas i shpërndarë në mënyrë të shpejtë në tërë globin. Gjëja e parë që bënë fuqitë e mëdha ishte akuza ndaj njëra-tjetrës duke e cilësuar koronavirusin si sulm i mundshëm biologjik ndaj njerëzimit. Nëse supozojmë se një veprim i tillë është strategjikisht i mundshëm, a nënkupton kjo se virusi ka dalë nga kontrolli meqë nuk la vend pa goditur? A do të duhej të kishte një shënjestër të caktuar virusi? Nëse synimi është goditja e një tregu të caktuar ekonomik, a nuk do të dëmtohej poashtu ekonomia e tërë globit? Cili shtet do të kishte përfitim nga një rrethanë ku asnjë ekonomi nuk mbeti e mëshiruar? Këtyre pyetjeve vështirë se mund t’i gjendet përgjigje se edhe kah anon konspiracioni. Megjithatë, çfarë mund t’i përgjigjemi është sesi përshkallëzimi i krizës shëndetësore globale përcakton sjelljen e shteteve në raport me njëra-tjetrën dhe çfarë do të mund të mësojmë prej saj.
Refuzimi i suksesit kinez
Nëse vlerësojmë të dhënat aktuale, Kina ndodhet në një fazë rikuperimi me numër minimal të viktimave. Shtrohet pyetja si është e mundur që Kina ka arritur ta menaxhoi këtë situatë pa nevojën e një vaksine shëruese? Kina tregoi shembull se me një disiplinë shtetërore, mobilizim të qytetarëve dhe organizim të resurseve mund të zvogëloheshin përmasat vdekjeprurëse të virusit. Por, ndërkohë që Kina po shënon rënie të viktimave, shtetet e perëndimit po tregojnë një qasje të dyshimtë rreth transparencës kineze në raport me të dhënat e saj duke e akuzuar se po fsheh një realitet tjetër nga i cili mund të rezultojë se Kina ka një shifër shumë më të madhe të viktimave sesa po tregon zyrtarisht. Megjithatë, Kina sot po luan një rol udhëheqës në luftën globale kundër koronavirusit duke këshilluar shtetet sesi duhet organizuar për të parandaluar virusin dhe poashtu duke furnizuar shtetet perëndimore me maska mbrojtëse. Koronavirusi e gjeti të mobilizuar Kinën, ndërsa në anën tjetër shtetet e perëndimit po përballen me një realitet ku janë detyruar të kuptojnë se ekonomia globale dhe vitaliteti i korporatave nuk janë më të rëndësishme sesa jeta e njerëzve dhe aftësia e shtetit për të siguruar garanci mbi shëndetin e tyre. Në fund të ditës, politikat neoliberaliste nuk mund të ofrojnë frymëmarrje artificiale objekteve abstrakte e të vdekshme siç janë valutat monetare. Pra, ky moment kyç i vuri në sprovë shtetet duke i rikujtuar ata se shteti buron nga njeriu dhe duhet të garantojë për të. Këtë e kishin kuptuar edhe SHBA-të kur aplikuan një vlerë prej 1200 dollarë në muaj për një shtresë qytetarësh që mbetën të rënduar ekonomisht nga pandemia. Tani që Kina po zë titujt e gazetave si menaxhuese e suksesshme, shtetet kompetitore të perëndimit do ta kenë vështirë të pranojnë rolin e ri global të Kinës.
Varesia ekonomike dhe avantazhi krahasues si përcaktues i së ardhmes
Koncepti i njohur teorik i tregëtisë në mes shteteve bazohet në shkëmbimin e mallrave të cilat njëri shtet i posedon, ndërsa tjetri jo. Kjo ngaqe njëri shtet i ka kushtet më të e favorshme klimatike e teknologjike për të prodhuar një produkt më premtues nga shteti tjetër; ndaj ai shtet do të eksportojë atë produkt tek shtetet tjetra që nuk kanë mundësi të prodhojnë po të njejtin produkt me cilësi si shteti i parë. Atëherë shteti i dytë fokusohet në prodhimin e një produkti që di të bëjë më së miri dhe t’ja eksportojë shtetit të parë. Kjo krijon varësi të ndërjselltë në mes shteteve. Ky lloj shkëmbimi tregtar njihet ndryshe në teorinë e tregëtisë ndërkombëtare si avantazh krahasues. Një klimë e tillë ekonomike krijon pozicion të favorshëm për zhvillimin dhe rritjën e korporatave ndërshtetërore, përfitimi i së cilës poashtu ngrit perspektivën e shtetit. Në një orkestër të tillë ku konsumerizmi është motori që vë në lëvizje këtë aparat ekonomik, u duk sikur u harrua që subjekti i konsumerizmit dhe blerjes ishte njeriu i cili ta jep përshtypjen se tanimë u shndërrua në një qenje teknike si pjesë e aparatit dhe me komfortin premtues se në kohë të tilla dhe në një botë që po demokratizohet, jeta e njerëzve nuk ka sesi të cenohet. U krijua një frymë e garancisë që jeta në shtetet e zhvilluara industriale kurrë nuk ka qenë më se e sigurtë. Por, doli që me përhapjen e koronavirusit, shtetet ju kthyen atij diskursit të vjetër, pra futja e kufive dhe kontrollit, ksenofobia nga jashtë, mosbesimi ndaj shteteve tjera dhe frika nga të infektuarit. Shtetet për momentin filluan të silleshin si njerëzit, në panikë dhe në egocentri. Le të shpëtojë kush të mundet! Por u harrua që shteti ka një përgjegjësi sociale ndaj secilit qytetar. Qytetari në kohë krizash kthehet te zëri i atij që ka votuar dhe kur ai që ka votuar ka më shumë panikë se vet qytetari, besimi dhe legjitimiteti i qeverisë bie. Shteti duhet të vlerësojë aftësinë e tij mbijetuese në situata ekstreme si p.sh. kur të gjitha shtetet mund të të vënë sanksione, apo të ndodhesh në konflikt me një subjekt tjetër, kriza financiare, ose situata të atilla kur edhe mund të ndërprehet furnizimi me ushqim që e importon nga jashtë por nuk e prodhon vet në raste emergjente.
E ardhmja për BE-në
Zëra në Itali vetëm se filluan të jehonin me parullat se Bashkimi Evropian i kishte tradhëtuar. Italianët janë popull krenar dhe temperament. Si do të duket relievi politik i jashtëm i Italisë mbetet pikëpyetje. Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave u bënë bumerang. Shtetet e ballkanit perëndimor kishin aspiratën më të madhe euroatlantike për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ndërkohë që në Evropë, lëvizjet e së djathtës ekstreme veq po rriteshin dhe është poashtu e mundur që koronavirusi të ndikojë që ky trend i rritjës të vazhdojë. Po flasim për lëvizje që duan ta rikthejnë kufirin, t’i mbajnë larg imigrantët dhe të homogjenizohen përsëri. Koronavirusi ka rritur dyshimin midis njerëzve. Kurrë më shumë nuk u vë në pah egocentria e njeriut kur në shitore hetoje se disa artikuj të caktuar ushqimorë merreshin me shumicë pa konsideratë për tjetrin. Një frymë individualiste që po triumfonte mbi vizionin për një jetë të integrueshme ku askush nuk do të mbetet jashtë. Nuk është më çështje ekspertize për të kuptuar fatin e Bashkimit Evropian mbas pandemisë. Tani shtetet e fuqishme si Gjermania e Franca ndodhën në një pozitë ku duhet vepruar shpejtë e me kujdes për të shmangur një përshkallëzim të perspektivës evropiane.
Rasti i Kosovës
Pyetja që e shtroj shpesh në diskutime dhe shkrime është kjo se a do të ketë Bashkim Evropian në kohën kur Kosovës t’i vie rendi të antarësohet? Qeveritë e Kosovës kanë qenë thelbësisht të përkushtuara që një ditë të bëhen pjesë e BE-së. Ndaj, e gjithë strategjia diplomatike fokusohet në integrimin euro-atlantik. Një shtet i formësuar me ndihmën e aleatit më të madh si SHBA-të dhe BE-ja treguan sivjet se ato nuk mund të garantonin fatin sovran të Kosovës siç kishin garantuar projektuesit dhe njëherësh çliruesit e popullit të Kosovës nga regjimi i dhunshëm serb. A është strategji e mençur të bazosh dilemën e ekzistencës shtetërore në ‘euroatlantizëm’ e cila dita ditës po ballafaqohet me retorika proteksioniste? A është Kosova e fortë të përballojë çdo cenim të mundshëm nga Serbia që ende e konsideron si pjesë integrale të sajën dhe zyrtarisht i flet autoriteteve të Kosovës me përçmim e diskriminim? A ekziston një perspektivë e Kosovës nga e cila mund të qëndron në këmbë vetiu edhe nëse braktiset nga aleatët e saj? Zakonisht këto pyetje i shtron një shtet i pavarur. Këto pyetje vështirë se përgjigjën nëse e marrim terrenin ndërkombetar si park lulesh ku secili dëshiron të jetojë në harmoni. Në kohën kur politika e Kosovës po shënonte një revolucion të sajën dhe ku garnizeu i vjetër politik me afera korruptive po zëvendësohej me një subjekt të ri politik që kishte premtuar se do t’i jap fund korrupsionit dhe do të zhvillojë ekonominë e vendit për të rikthyer pastaj imazhin e saj të dëmtuar tash e saj vite, shpresa e njerëzve dhe arsyeja e qytetarëve për të mos emigruar jashtë atdheut ishte si kurrë më e fortë. Gjenerata e re e priti me optimizëm të lartë pushtetin e ri në Kosovë. Albin Kurti si kryeministër i ri i Kosovës mori urata nga shumë liderë, përfshi këtu edhe udhëheqësin austriak që njihej si njeri me rezerva ndaj imigrantëve që nuk i përshtatën rregullave austriake. E uroi sepse Albin Kurti ishte shpresëdhënës edhe për liderët e BE-së që kriterin e integrimit e bazojnë në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, kritere këto që Kosova nuk mund t’i plotësonte me një qeveri të kaluar e thuajse të fundosur me afera e skandale korrupsioni. Ndërkohë që koronavirusi ishte vdekjeprurës për njerëzit anembanë botës, në Kosovë ishte vdekjeprurës për qeverinë e re në krye me Albin Kurtin, e cila u rrëzua me mocion mosbesimi nga partneri i saj si partia e dytë në vend me të cilën ishte në koalicion. Për lexuesin me mendje të shëndoshë i cili nuk është në rrjedha me politikën vendore, do ta gjykonte këtë rrëzim qeverie si shkak i paaftësisë për të menaxhuar krizën, por jo në të kundërt Kosova u përmend si shembull në organizimin shtetëror për të parandaluar përhapjën e pandemisë. Rrëzimi i qeverisë u bë me taktikë politike për interesa pushtetare të krahut të vjetër politik, të intepretuara kushtetutshmërisht por të paarsyetuara etikisht e moralisht duke lënë kështu në baltë vullnetin e qytetarëve që kishin shpresuar për diçka të re. Kur ambasadorët e shteteve evropiane kritikonin liderët vendorë që të mos merren me politikë por me krizën pandemike, SHBA-të zyrtarisht kishin mirëpritur formimin e seancës parlamentare me mocionin për të votuar rrëzimin e qeverisë të sapo formuar. Kjo në një kohë kur distanca sociale ishte thuajse obligative. Kjo përçarje mes BE-së dhe SHBA-ve krijojë fraksione dhe debate të nxehta në opinionin publik në Kosovë e cila duke e bazuar sovranitetin e saj në garancinë perëndimore, e kuptoi se lehtazi një rotacion politik mund ta kthej në pozitën zero. Njerëzit kërcenin nga paniku se mund të mbeteshin jashtë hijes së aleatëve ndërkohë që kishin harruar se mbas përfundimit të luftës duhej të vet-zhvilloheshin.
Ideologjia shëndetësore
Ideologjia shëndetësore e kthen shtetin ne rolin e tij klasik. Sot, duke e parë rolin dominues të kompanive si Google dhe Facebook, është pothuajse determinues dhe i kuptueshëm fakti se në çështje për jetë a vdekje, të gjitha kompanitë mund të japin kontributin përtej fitimprurjes por nuk mund të garantojnë jetën e qytetarit i cili varet nga puna dhe rroga. Koronavirusi ishte një lloj pasqyre që i dha shteteve një pamje të brishtë ndaj vetes se e kishin harruar njeriun për të cilin edhe kishte filluar e gjithë kjo histori e mbushur me ideale. Përkundër shfrytëzimit pandemik për strategji politike, solidariteti në mes shteteve është fatmirësisht ende i dukshëm dhe ky solidaritet tregon vullnet të mirë por që do të definojë dominuesin në çështjet dhe sfidat globale që do të cenojnë shëndetin në të ardhmën. Shtetet brenda BE-së do të reflektojnë dhe rishqyrtojnë politikat mbas kësaj krize. Në shtete ku korporatat përbëjnë identitetin dhe shpirtin liberal, çdo sekond dhe mjet për shpëtim do të jetë themelor. A do të ndryshojë këndvështrimi politik në aspektin global pas koronavirusit është thuajse e sigurtë. Ndaj është më se e këshillueshme që shtetet të reflektojnë dhe në vend të panikut të tregojne kualitete lidershipi nga i cili popujt e botës mund të mbështeten në mënyrë që të paktën të bëjnë një gjumë të qetë e mos të mendojnë për pasiguritë e së nesërmes.
*Ali Hoxha, ekspert në fushën e sigurisë ndërkombëtare. Prishtinë
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum.