Presidenti Meta nëpërmjet një video-konference zhvilluan sot mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare lidhur me situatën që po kalon vendi nga përhapja e pandemisë globale COVID-19.
Në këtë takimi, çështjet kryesore ishin masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës.
Z. Rama ka reaguar në përfundim të takimit, duke e cilësuar shkëmbimin e opinioneve me Presidentin dhe kreun e PD si pozitiv, pavarësisht komunikimit publik që duket se nuk është në këto nivele.
“Mbledhje e gjatë por e dobishme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe një shkëmbim i hapur opinionesh me Presidentin e Republikës & kryetarin e PD për hapjen graduale të aktivitetit në javët në vijim! Sikur komunikimi publik të ishte kaq pozitiv, politika do ishte shumë ndryshe”, është shprehur kryeministri në përfundim të takimit.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike z. Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Po ashtu Presidenti Meta vlersoi mbledhjen dhe te pranishmit;
Mbledhja u zhvillua në një frymë bashkëpunimi, dhe për këtë dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, Kryeministrin z.Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike z.Lulzim Basha.
Vlerësova rëndësinë e rritjes të efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.
Falenderoj qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e dëshmuar, që duhet të vijojë, në interes të përbashkët.
Sa më efikas të jetë ky bashkëpunim, aq më shpejt do t’i rikthehemi normalitetit dhe jetës plot gjallëri, tha Meta.