Statistikat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se si individët, ashtu edhe bizneset rritën depozitat, ose kursimet financiare në banka gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019.
Sipas BSH-së, zgjerimi i depozitave të individëve ishte rreth 6 herë më i lartë se ai i bizneseve.
Rritja e depozitave të individëve, e cila ishte kryesisht në valutë, reflektoi edhe rënien e investimeve të tyre në tituj. Sipas vrojtimit që kryen rregullisht Banka e Shqipërisë, pesha e familjeve që kanë një borxh për të paguar është relativisht e ulët (24%), dhe ngarkesa e borxhit vlerësohet e përballueshme.
Për periudhën e ardhshme, familjet shprehen më të gatshme për të rritur nivelin e huamarrjes. Edhe për ndërmarrjet, ngarkesa me borxh vlerësohet e përshtatshme, në kushtet kur vlera e borxhit zë gjysmën e vlerës së kapitalit për 78% të ndërmarrjeve, dhe gati 67% e tyre deklarojnë se pagesa e borxhit nuk kalon 20% të të ardhurave të veprimtarisë.