Maqedonia e Veriut nga fillimi i muajit maj do të nis me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.
“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce dhe disa ministra të tjerë mbajtën konferencën e parë për media përmes një platforme interneti pasi të gjithë janë në vetizolim shtëpiak.
Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipce ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit, por që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në kapërcimin e gjendjes së rëndë. Por, ai ka bërë të ditur se edhe pas lehtësimit të masave do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.
“Dua të informoj qytetarët se pas stuhisë vjen dielli. Është e qartë se pas gjithë kësaj jeta e secilit prej nesh, e të gjitha institucioneve, do të ndryshojë … edhe kur të lehtësohen masat, kuptohet se tregjet, restorantet dhe kafenetë do të punojnë në një distancë, do të punojnë me kujdes. Nuk do të jetë më njësoj, por unë besoj se të gjithë qytetarët tani më janë të vetëdijshëm për atë që po bëjmë, që këtë gjendje ta përballojmë në mënyrë që mbi të gjitha të ruajmë shëndetin”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Ministri Venko Filipce.
Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë orëve të kaluara janë regjistruar 53 raste të reja me koronavirus, por për herë të parë nuk janë regjistruar viktima, që mbeten në shifrën e 49 të vdekur. Ndërkohë numri i të infektuar ka arritur në 1,170.
“Me masat e deritanishme ekonomike jemi munduar të përfshijmë të gjitha sferat e shoqërisë në Maqedoni me qëllim që të ndihmojmë njëjte secilin. Duhet ta dimë se të gjithë do të mbajmë ngarkesë nga kjo krizë, nuk është periudha ku dikush fiton dikush do të realizojë profit. Thjesht nuk është koha për çfarëdolloj profiti. Të gjithë së bashku duhet të kalojmë këtë gjendje. Tani më qeveria po përgatit një plan serioz, dikund pas festave të majit në bazë të të gjitha analizave për atë se si dhe në çfarë mënyre të lehtësojmë disa pre masave që do të jenë në funksion të kthimit të normalitetit. Kjo nuk do të thotë se do të normalizohet plotësisht jeta për shkak se nuk është e mundur, megjithatë do të hiqen disa prej masave restriktive. Ngadalë dhe sigurt do të vazhdojmë me normalizimin e gjendjes”, tha mes tjerash Spasovski.
Sipas Spasovskit, virusi korona ndryshoi mënyrën e jetesës dhe të funksionimit të Institucioneve shtetërore..
“Kjo gjendje në mënyrë rrënjësore ka ndryshuar mënyrën e jetesës, të asaj që e quajmë jetesë normale. Gjithsesi, se kjo na detyroi edhe neve si Qeveri të punojmë në mënyrë tjetër. Të gjithë institucionet reaguan ndaj detyrimeve të tyre. Ajo që mund të konstatojmë është se menaxhimi në aspektin shëndetësorë po shkon siç është planifikuar. Dua të bëjmë edhe më tej gjithçka, përmes këtyre masave parandaluese, që të kemi funksionim të mirë, dhe kushte për funksionim të sistemit shëndetësor dhe punonjësve shëndetësor. Distanca sociale jep më shumë rezultate. Masat nuk janë dëshira e qeverisë, por merren në bazë të sugjerimeve që japin institucionet shëndetësorë”, tha Spasovski.