Frika dhe paniku i krijuar si pasojë e Covid-19 dhe masave drastike të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e virusit, sidomos në fillim të shpërthimit të epidemisë në vendin tonë, kanë bërë që Shqipëria gjatë Marsit të regjistrojë shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në muajin mars të importit të drithit.
Shifrat zyrtare të Instat flasin për rreth 1.5 miliardë lekë importe gjatë muajit mars, në rritje me 147% krahasuar me muajin paraardhës dhe në rritje me 69% krahasuar me muajin mars të vitit 2019. Në peshë, gjatë marsit u imprtuan rreth 43 mijë tonë, ndërsa një vit më parë shifra fiksohej në 21 mijë ton.
Por kush është financuesi kryesor i rritjes së furnizimit me drith të Shqipërisë?
Rusia! Rritja është mbresëlënëse. Në mars, Rusia ka furnizuar tregun shqiptar të importit të drithit në masën e 734 milionë lekëve, ose 50.3% të totalit. Krahasuar me muajin mars të vitit 2019, rritja fiksohet në masën 154%.
Rritje domethënëse të importit të drithrave në vendin tonë regjistron edhe Serbia si vend origjine. Janë pikërisht Rusia me Serbinë që jo vetëm udhëheqin rritjen, por zënë thuajse 70% të tregut vendas të importit të drithit. Rritje të lehtë regjistrojnë edhe vende si Italia apo Myanmari.