Italia regjistron 534 viktima në 24 orët e fundit dhe më shumë se 2700 raste të reja me koronavirus. Shifrat kanë pësuar rritje, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa bilanci në total paraqet numra tepër tragjikë: që prej fillimit të pandemisë rreth 184 mijë persona janë infektuar me Covid-19 dhe virusi u ka marrë jetën më shumë se 24 mijë vetëve. Pozitive paraqitet situata në spitale, pasi në ditën e fundit u shëruan më shumë se 2700 pacientë.
Pavarësisht shifrave ende të larta, Italia është e vendosur të kalojë në fazën e dytë të pandemisë koronavirus. Kryeministri, Giuseppe Conte, prezantoi masat e reja në parlament në një seancë për këtë emergjencë shëndetësore që po kalon vendi fqinj. “Qeveria ka përgatitur një strategji me pesë pika, sa i përket përgjigjes shëndetësore. E para është respektimi i distancimit social, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale deri në gjetjen e një terapie apo vaksine”, u shpreh Conte.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për aplikacionin “Imunët”, i cili do ketë një përdorim vullnetar dhe jo të detyruar për qytetarët. Ky program do të përdoret për të gjurmuar të infektuarit, por është krijuar në një mënyrë që eleminon paragjykimet apo shkeljen e privatësisë së përdoruesve.
Një tjetër pikë e rëndësishme e kalimit në fazën e dytë është dhe ndërtimi i spitaleve të shumta për trajtimin e pacientëve me koronavirus. Për të implementuar këto masa të reja dhe për të rimëkëmbur ekonominë, Conte njoftoi alokimin e një fondi shtesë prej 50 miliardë eurosh. Kryeministri italian nuk harroi të lëshonte kritika ndaj Bashkimit Evropian. Ai paralajmëron se projekti politik i Unionit është në rrezik nëse përsëriten gabimet e krizës ekonomike të vitit 2008, kur mungoi kundërpërgjigjja e përbashkët e vendeve anëtare./h.e