Komuniteti i biznesit mbështet nismën e qeverisë për amnistinë fiskale për paratë dhe asetet.
Kryetari i “Biznes Albania”, Luan Bregasi deklaroi sot gjatë një intervistë për mediet në vend se biznesi e ka kërkuar shpesh dhe e mirëpret nismën e qeverisë për amnisti të gjerë fiskale për bizneset dhe individët, duke përjashtuar amnistinë e parave që janë grumbulluar në rrugë kriminale, joligjore.
“Kërkesa jonë ka qenë e shpeshtë, pasi biznesi duhet të ndahet përfundimisht nga rruga informale dhe të futet në rrugën e një informalizimi të plotë të tregut shqiptar”, shprehet ai.
Ai apelon klasën politike të gjejë konsensus për këtë nismë.
“Politika duhet të japë konsensus me qëllim që njerëzit që deklarojnë të mos ndjehen të pasigurt për të ardhmen”, tha Bregasi.
Sipas kreut të “Biznes Albania”, qeveria duhet të hartojë projekte që këto para të mbledhura në buxhet të investohen në ekonomi.
“Nëse paketa realizon të gjitha qëllimet e veta unë them që mund t’i sjellë disa të mira ekonomisë. Misioni i një amnistie nuk është të mbledhë disa lekë, pra të aktivizojë disa para të fjetura, por misioni i saj është të zbulojë çfarë do të ndodhë më tej në ekonomi. Pas kësaj periudhe kërkohet një përmirësim i sistemit të administrimit tatimor dhe doganor. Nuk mund t’a lëmë formalizimin vetëm në ndërgjegjen e sipërmarrjes. Duhen ngritur dhe administruar sisteme që e detyrojnë sipërmarrjen, p.sh përmirësimi i sistemit të faturave të TVSH. Dhe që amnistia ta kryejë më mirë detyrën qeveria duhet të hartojë disa projekte që këto para që kthehen në buxhet të mund të investohen. Duhen paketa kryesisht në agroturizëm dhe agropërpunim”, u shpreh Bregasi.
Sipas tij, duhet që fasha e interesave të jetë e leverdishme për ata që do të investojnë .
Ndërsa për shumën e parave që pritet të deklarohen, Bregasi theksoi se nuk ka shifra të sakta për këtë po se luan një rol të madh mënyra se si është projektuar amnistia çka do të nxiste vullnetarizmin për të deklaruar.
Bankat shtrengojne kredine—Bankat shqiptare raportuan shtrëngim të standardeve e kreditimit në tremujorin e parë të vitit. Vrojtimi i aktivitetit kreditues, i Bankës së Shqipërisë, tregoi se standardet e kreditimit u shtrënguan për të gjithë segmentet e klientëve dhe pritet të shtrëngohen më tej në tremujorin e dytë të vitit. Duke qenë se përgjigjet e bankave janë mbledhur në fillim të muajit prill, besohet se situata e krijuar nga epidemia e Covid 19 është reflektuar ndjeshëm në tablonë e tyre për aktivitetin kreditues.
Për individët, standardet e huadhënies janë shtrënguar si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për ato konsumatore. Shtrëngimi për individët u shkaktua nga perceptimi për rrezik të shtuar lidhur me situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të, si edhe aftësinë paguese të kredimarrësit. Po ashtu, toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit. Për tremujorin e dytë, bankat presin që shtrëngimi i kredisë të jetë edhe më i fortë.
Mes bizneseve,shtrëngimi i standardeve të kreditimit ishte më i theksuar në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si edhe në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve. Sipas gjykimit të bankave, kushtet dhe termat e kreditimit u ndikuan negativisht nga perceptimi për rrezik të shtuar, nxitur prej situatës së paprecedentë të shkaktuar prej Covid-19.