Presidenti Ilir Meta shfrytëzoi Ditën Ndërkombëtare të Librit për t’iu përgjigjur kritikave se përse dekretoi ndryshimet e Kodit Penal, kur vetë e pranoi se miratimi me procedurë të përshpejtuar e këtyre ndryshimeve nga ana e Kuvendit ishte antikushtetuese.
“Fatkeqësisht ka disa “pseudo-intelektualë” dhe “pseudo-ekspertë”, të cilët jo vetëm kanë harruar të lexojnë libra, por as duan të lexojnë e të kuptojnë vendime të thjeshta, por tepër të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në këto momente të vështira pandemie. Sinqerisht u sugjeroj të thellohen dhe të lexojnë variantin final të miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve thelbësore të propozuara publikisht nga Presidenti i Republikës”, deklaron Meta.
Meta mbron edhe parashikimin për të ndëshkuar me burg ata që shkelin karantinën në raste pandemishë duke sjellë si shembull Danimarkën, që sipas Metës ndëshkon deri me 6 vite burg për të njëjtën shkelje.
“Pra të dashur “armiq” të librit, megjithëse leximi i librit është një mundim shumë i madh për ju, besoj se këto dy rreshta do gjeni kohë t’i lexoni. Me përgjegjshmëri të plotë dhe me koherencën e përhershme jo vetëm e mbrojta Kushtetutën, por edhe zgjidhëm boshllëkun, që kishte Kodi Penal për ata që donin të përdornin pandeminë kundër shëndetit të qytetarëve, duke vendosur për këtë çështje madhore një standard si të Danimarkës”, u shpreh Meta./h.e