Kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit pësoi përsëri rënie vitin e kaluar. Në fund të vitit 2019, ajo ra në 132 miliardë lekë, 5% më pak krahasuar me një vit më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë kjo ka ardhur kryesisht për shkak të uljes së kreditimit në euro, që zë edhe pjesën më të madhe të kredisë në valutë të huaj. Kredia është e pambrojtur ndaj kursit të këmbimit në rastin kur huamarrësi i ka të ardhurat në një valutë tjetër nga ajo që paguan kredinë.
Huaja në fjalë është e përqendruar kryesisht tek bizneset, me 68% të totalit, ndërsa kredia për individët dhe ajo për qeverinë zënë përkatësisht 28% dhe 4%.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, rënia e kredisë së ekspozuar ndaj rrezikut të kursit erdhi kryesisht në segmentin e bizneseve, ndërsa tek individët u shënua një rritje e lehtë. Shumë familje preferojnë të marrin hua për blere të banesave në euro, megjithëse të ardhurat i kanë në lekë. Përgjithësisht kjo ndodh sepse normat e interesit për euron ende janë pak më të ulëta. Sipas qëllimit të përdorimit, kredia e pambrojtur e dhënë për investime në pasuri të paluajtshme vijon të mbajë peshën kryesore, me 51% e pasuar nga kredia për tregti, me 29%.
Në vitet e fundit, statistikat tregojnë një zhvendosje të dukshme të kreditimit drejt lekut. Në fund të vitit 2019, kredia në lekë përbënte 48.7% të kredisë për sektorin privat, 10 pikë përqindje më shumë krahasuar me pesë vjet më parë.
Portofoli i kredisë në lekë është mbështetur nga ulja e ndjeshme e normave të interesit dhe, në veçanti, nga ngushtimi i hendekut krahasuar me interesat e kredisë në euro. Nga ana tjetër, edhe vetë oferta e bankave për huadhënie në monedhën vendase është përmirësuar, mbështetur edhe në qasjen për t’i nxitur klientët që të shmangin rrezikun e kursit të këmbimit.