Sot bëhen 20 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.
Në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, nën përkujdesjen e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga ora 09:00 deri në orën 10:30 do të bëhen homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ndërsa më pas do të mbahet aktiviteti “Pëllumbat e paqes” mbi Reçak.
Ndërkaq, në ora 11:00 do të mbahet Akademi Përkujtimore në “Shtëpinë e Kulturës” në Shtime. Më 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Pak kohë pas kryerjes së këtij akti barbarë nga forcat paramilitare serbe, fuqitë e mëdha ndërkombëtare vendosën për intervenimin e NATO-s në Kosovë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar masakrën e Reçakut e cila ndodhi 20 vite më parë.
Thaçi ka thënë se 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Sipas tij, për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi.
Shkrimi i tij i plotë në Facebook:
Para 20 vjetësh, Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak, u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare.
Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë, një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare.
Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. HTH