Sot kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmanin, bëri homazhe te varrezat në Mejë, për nderim të ditës së 27 Prillit – përvjetorit të të zhdukurve.
Me kryeministrin në detyrë Kurtin ishte edhe këshilltarja e tij ligjore, Furtuna Sheremeti
Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prandaj 27 Prilli shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.
376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, u masakruan dhe u kidnapuan brenda ditës.
Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, kryeministri i vendit zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh.
Hapësira të zbrazëta mes varresh, pa pllakë përkujtimore e pa varr, qëndronin mes varreve aktuale, në pritje të 13 të tjerëve, të cilët akoma sot mungojnë nga kjo masakër e kobshme.
Sot, 21 vjet pas, përgjegjësit – emrat e të cilëve janë përmendur edhe në gjykimet e Tribunalit të Hagës – janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit.
Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer, sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim.