Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nisur nga shifrat e fundit optimiste sa i takon numrit të të infektuarve dhe të shëruarve me COVID-19, ka bërë të ditur planin lehtësues të masave deri më 18 maj. “Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbra bashkitë: Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”, bëri të ditur znj. Manastirliu.
Ministrja tha se “zonat e gjelbra” do të kenë të njëjtat rregulla të lëvizjes dhe fashave orare tashmë të përcaktuara për këto zona.
Gjithashtu, duke filluar nga data 4 maj do të lejohen dy pasagjerë familjarë në shërbimin taksi ndërqytetës. “Nga data 4 do të lejohet shërbimi taksi, në të gjithë territorin, duke zbatuar protokollin e sigurisë me deri në dy pasagjerë, anëtarë të të njëjtës familje për udhëtimet ndërqytetëse”, deklaroi ministrja.
Ndërkohë vetëkarantinimi i personave që vijë nga jashtë dhe që jetojnë në zonat e kuqe do të vijojë dhe do të ketë një monitorim tē rreptë nga ana e strukturave më qëllim zbatimin e masave. “Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara” tha ajo.
Nga data 11 maj do të ketë lehtësime të tjera masash për një grup biznese si parukeri, berber, dentist dhe dyqanet në qendrat tregtare, bëri me dije znj. Manastirliu. “Në planin tonë të dy javëve që do të pasojnë, duke filluar nga data 11 Maj e në vijim, planifikojmë të vijojmë me disa lehtësime masash, por me protokolle rigoroze sigurie për një grup tjetër biznesesh, siç janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare.”, tha ministrja.
Ministrja e Shëndetësisë tha se duke vlerësuar situatën dhe të dhënat sipas draft-planit, nga 18 maji e në vazhdim do të vlerësohet hapja e njësive të shërbimit si bare dhe restorante, vetëm për mjediset e hapura.
“Në vijim të draft-planit, dhe e përsëris draft-plan pasi do të vlerësohet situata në dinamikë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga ekspertët, nga 18 Maji e në vijim, sipas disa hapave të mëtejshëm, do të vlerësojmë dhe hapjen e njësive të shërbimit, bare e restorante, vetëm për mjediset e hapura sipas protokolleve të ruajtjes së distancës dhe kushteve higjeno-sanitare”, u shpreh znj. Manastirliu.
Nga ana tjetër, kufizimet në këtë plan do të vijojnë për aktivitetet sportive, kulturore e sociale, grumbullimet me më shumë se 5 persona dhe që konsiderohen me risk të lartë. Më tej, ajo u shpreh se po vlerësohet edhe zgjerimi i lëvizjes së automjeteve pa autorizim, brenda qarqeve dhe fashave orare 05:00-17:30.