Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot ligjin e hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Për Shërbimet e Pagesave”.
Miratimi i ligjit shënon një progres të konsiderueshëm në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian duke përafruar Direktivën e dytë “ Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm” si dhe për integrimin me tregun e përbashkët të pagesave në euro (Single Euro Payment Area), duke krijuar themelet e ndërlidhjeve midis tregut shqiptar dhe atij evropian të pagesave.
Gjithashtu, ky ligj përmbush edhe një sërë objektivash të parashikuara në planvëprimin e Strategjisë Kombëtare për Tregun e Pagesave me Vlerë të Vogël si dhe angazhimet e Bankës së Shqipërisë në Strategjinë Kombëtare Për Diasporën.
Përtej objektivave të lartpërmendur, vlen të theksohet se ky ligj do të ndihmojë ndjeshëm në modernizimin dhe zhvillimin efikas të tregut vendas të pagesave.
Ligji krijon kushte dhe rregulla për: a) krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave; b) transparencën e kushteve dhe kërkesat për informim mbi shërbimet e pagesave; si dhe c) të drejtat dhe detyrimet e përdoruesve dhe të ofruesve të shërbimeve të pagesave në lidhje me ofrimin e këtyre shërbimeve.
Rregullat e reja të përcjella nga ligji kanë për objektiv promovimin dhe zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.