Administrata tatimore ka refuzuar kërkesat për përfitimin e 40 mijë lekëshit të vendosur në dispozicion nga qeveria në kuadër të përballimit të situatës së krijuar prej COVID-19, rreth 2500 punonjës. Shkak mund të jetë mosplotësimi i kritereve apo i formularëve në mënyrën e duhur. Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deri më tani janë paguar 27,276 subjekte me 73,447 punonjës në total.
Vlera e disburuar në javën e dytë nga nisja e aplikimeve arrin në 2.9 miliardë lekë. Tatimet bëjnë me dije se në total janë miratuar kërkesat për 81,286 punonjës, ndërsa 11,179 janë në process verifikimi të mëtejshëm. Numri më i lartë i kërkesave është bërë nga individët. Aplikimet u hapën më 21 prill dhe pas kësaj faze, pritet të ketë një fazë tjetër për trajtimin e ankesave të atyre që janë refuzuar.
Nga kjo paketë përfitojnë subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë, që kanë mbyllur aktivitetet me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë; ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020; të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitete dhe kanë qenë në punë deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë.