Një pritje me të vërtetë madhështore mund të konsiderohet ajo që autoritetet e larta serbe i kanë përgatitur Presidentit rus, Vladimir Putin, në kuadrin e një vizite zyrtare që ai zhvilloi në këtë vend.
Ka qenë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ai që e priti atë
në aeroportin e Beogradit “Nikola Tesla” dhe më tej, dy presidentët morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule në Varrezat e Liberatorëve dhe në Monumentin e Ushtrisë së Kuqe të kryeqytetit serb.
Putini eci më pas mbi qilimin e kuq zyrtar, drejt Pallatit të Serbisë në Beogradin e Ri.
“Unë dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht për investimin e shumë energjive, përpjekjeve, pune, kohe, respekti dhe dashurie në progresin dhe zhvillimin e marrëdhënieve serbo-ruse. Faleminderit edhe për përkrahjen e pavarësisë së Serbisë, për respektimin e integritetit të saj. Unë mendoj se Rusia gjithmonë mund të ketë besim se ka një aleat te Serbia”, tha Vuçiç.
Nga ana e tij, Putin iu përgjigj duke falënderuar qytetarët e Beogradit dhe tërë Serbisë për pritjen e tyre të ngrohtë.
“Jam shumë i lumtur që kam mundësinë për të vizituar Serbinë miqësore dhe vëllazërore dhe për të diskutuar gjithçka që kemi bërë, por dhe gjërat që duhet të bëjmë”, tha presidenti rus.
“Ju keni bërë shumë gjatë viteve të fundit për zhvillimin e marrëdhënieve ruso-serbe dhe sot do të kem një mundësi dhe kënaqësinë për t’ju dhënë një titull nderi për kontributin tuaj dhe për gjithçka që keni bërë”, i tha Putini mes të tjerash Vuçiçit para një takimi me dyer të mbyllura, pasuar nga një seancë plenare midis delegacioneve të të dy vendeve.
Vuçiç dhe Putin më vonë kanë qenë të pranishëm edhe në një ceremoni për të nënshkruar marrëveshje të shumta bilaterale midis dy vendeve. Për të vizituar më pas edhe Tempullin Ortodoks Serb të Shën Savës.