Muaji mars ka qenë pozitiv për sistemin bankar, sa i përket ecurisë së depozitave. Pasiguria e shkaktuar nga Covid-19 nuk ka ndikuar në rrjedhje të depozitave në sistem.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në lekë shënuan një rritje të lehtë në mars, me një zgjerim prej 0.1% në raport me shkurtin, duke arritur në 474 miliardë lekë, duke vijuar tendencën zgjeruese që po konstatohet që nga mesi i vitit të kaluar. Si individët ashtu dhe bizneset rezultojnë që kanë rritur kursimet e tyre në lekë, në llogari pa afat, ndonëse në nivele të moderuara.
Depozitat në euro, që raportohen në lekë, tregojnë për një rritje të ndjeshme në mars, por ky është më shumë efekt i kursit të këmbimit, që në ditët e fundit të marsit arriti për pak ditë në 130 lekë, nga 122-123 lekë që ishte mesatarisht në janar dhe shkurt. Të raportuara në euro, depozitat në monedhën e përbashkët ishin 4.4 miliardë euro në fund të marsit, pothuajse të pandryshuara në raport me shkurtin e 2020-s.
Totali i depozitave, të raportuara në lekë ishte 1.07 triliardë lekë në fund të muajit mars, ose rreth 8.7 miliardë euro.
Shqipëria renditet një nga vendet që ka më shumë depozita në rajon, në raport me prodhimin e brendshëm bruto, në rreth 60% të PBB-së, për shkak të lidhjeve të forta me emigracionin, por dhe hyrjeve informale.