Nuk munda të besoj se në shek. 21 dikush dikujt mund t’ia kontestojë gjuhën,shprehet presidenti maqedonas Stevo Pendarovski.
Nëse çmimi është të mos jemi maqedonas dhe gjuhën të cilën e flas të mos jetë gjuha maqedonase, atëherë nuk na duhet BE-ja, ka thënë presidenti Stevo Pendarovski në intervistën për emisionin “360 gradë” në TV Alsat, duke komentuar deklaratën e Bullgarisë bashkëngjitur konkluzave të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së.
Lidhur me kërkesat e Bullgarisë për gjuhën maqedonase, Pendarovski ka thënë se ajo është dispozita më e ngurtë në deklaratën e Parlamentit bullgar.
“Unë patjetër t’u them, se kur e lexova për herë të parë, dy tre herë jam kthyer në atë formulim. Nuk munda të besoj se në shekullin 21 dikush dikujt mundet t’i kontestojë se gjuha e tij quhet ashtu siç vet e kodifikon dhe praktikon me dekada të tëra”, ka thënë presidenti i shtetit.
Ai ka rikujtuar se gjuha maqedonase është fakt historik dhe i konfirmuar në nivel ndërkombëtar nga viti 1974.
Pendarovski ka dhënë edhe qëndrimin e tij lidhur me deklaratën e miratuar në Parlamentin bullgar.
“Ekzistojnë disa elemente që shkojnë drejtpërdrejtë, jo ndaj Marrëveshjes së Prespës, jo vetëm që janë anakronike ndaj tendencave në Evropën e bashkuar në dekadat e fundit, por shkojnë kundër disa postulateve bazike të marrëveshjes tonë me Bullgarinë. Ne aty nuk themi se në negociatat me BE-në duhet të përcaktojmë përkatësi etnike të dikujt i cili ka jetuar para 150 vitesh…”, ka thënë Pendarovski.
Ka shtuar tutje se në Bruksel qarkullon një datë provizore i cili nuk është përfundimtar- 16 qershori, kur duhet të jetë afati i fundit që KE të del me propozim të vetin.
“Pastaj do të kërkojmë në javët në vazhdim edhe pajtueshmëri politike të kësaj kornize të propozuar nga Komisioni. Këtu është me rëndësi të dimë, në Komision të gjitha pozicionet negociuese dhe çështjet e rëndësishme zgjidhen me shumicë votash, te Këshilli i Evropës kërkohet konsensus kompleks dhe të mos harrojmë se me metodologjinë e re të miratuar nga propozimi francez të gjithë janë pajtuar se vendet anëtare patjetër të kenë kontroll më të fuqishëm politik mbi procesin”, thekson ai.
Shefi i shtetit u është përgjigjur edhe pyetjeve për takimin e paralajmëruar të liderëve, zgjedhjet dhe gjendjen e jashtëzakonshme.
Për takimin e liderëve ai ka thënë se në biseda telefonike konfirmim për pjesëmarrje ka marrë nga liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hrisitian Mickoski, ndërsa në komunikim të rregullt është edhe me partitë politike shqiptare. Takimi i liderëve siç ka thënë, Pendarovski do të mbahej mes 10,11 dhe 12 maj.