Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit i dha mundësi Kryeministrit Edi Rama që të zgjerojë rolin e tij politik dhe institucional. Në këtë përfundim mbërrin një raport i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”.
“Kryeministri ishte kryezëdhënësi dhe personalisht njoftoi çdo vendim të marrë, që nga hollësitë e kufizimit të orëve të liridaljes, justifikimi i vendimeve, e deri tek këshilla drejtuar qytetarëve që të mos dalin jashtë, të mbrojnë familjet e tyre dhe të mos harrojnë që të lajnë duart”, thotë raporti i titulluar “Demokracia dhe gjendja e emergjencës”.
Fondacioni thotë se Kryeministri u shfaq në televizione dhe në rrjetet sociale duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të qytetarëve në Facebook, ndërsa thekson se në disa raste publikoi masat edhe para se ato të njoftoheshin dhe hynin në fuqi formalisht.
“Në daljet e tij të përditshme në televizione dhe median sociale, Kryeministri njoftoi masa, apo vendime para se ato të hynin në fuqi. Kryeministri e vuri theksin e narrativës së tij tek fakti që Shqipëria është në luftë me një armik të padukshëm që mund të mposhtej vetëm me sakrificë”, citon raporti.
Fondacioni thekson se në disa raste Kryeministri sugjeroi se preferonte metodat e ashpra për të mbajtur në fuqi masat kufizuese.
Si shembull “Friedrich Ebert” sjell dy episode, së pari një postim, që Kryeministri më vonë e fshiu dhe së dyti një deklaratë në lidhje me politikat e Viktor Orban në Hungari për përballimin e krizës.
“Përmes narrativës së tij, Kryeministri tregoi se preferonte masat e ashpra. Ai publikoi në faqen e tij të Facebook një video, që tha se tregonte policinë spanjolle duke rrahur dhe gjurmuar njerëz me mesazhin; ‘ose respektoni distancimin social, ose do të duhet të vraposh’. Megjithatë, më vonë u zbulua se videoja nuk ishte nga Spanja, por nga Algjeria. Kur u pyet nga media italiane për Viktor Orban, që po shfrytëzonte krizën për të zgjeruar më shumë pushtet, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “asnjë luftë nuk mund të fitohet duke qëndruar në mbrojtje”, vijon më tej raporti.
Analiza në fjalë ndalet edhe tek qëndrimi i pushtetit vendor.
Fondacioni gjerman vëren se me përjashtim të Shkodrës, bashki që mbahet ende nga Partia Demokratike, për shkak se bashkitë e tjera drejtohen nga po nga socialistët nuk janë shfaqur përplasje politike mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore.
Raporti thekson se emergjenca u shfrytëzua edhe nga disa kryebashkiakë për qëllime promovime politike personale.
“Kryebashkiakët kapën mundësinë për të treguar një politikë personale, duke u shfaqur çdo ditë në media duke dorëzuar pako me ushqime tek njerëzit, megjithëse vështirë se njerëzit presin pikërisht këtë nga kryebashkiakët”, thotë raporti.
Gjithashtu, raporti vëren se kriza ka lënë relativisht mënjanë përplasjet politike mes mazhorancës, Presidentit dhe opozitës, por nënkupton se këto përplasje mund të rikthehen me largimin e krizës.
“Partitë opozitare dhe organizatat joqeveritare nuk kanë ngritur shqetësime, me përjashtim të vendosjes së blindave ushtarakë në rrugë të armatosur me mitroloz, që dukshëm nuk ishin për t’u përdorur kundër virusit”, citohet aty.
Megjithatë, theksohet se partitë opozitare kanë qortuar Qeverinë se nuk i ka marrë masat në kohë dhe kërkon anulimin e disa kontratave koncesionare dhe alokimin e fondeve të parashikuara për to tek shëndetësia dhe ekonomia.
“Friedrich Ebert Stiftung” është fondacion gjerman që operon në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me degë në disa vende të tjera në botë./h.e