Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve mbështetën sot punën e medias dhe gazetarëve në Shqipëri duke theksuar nevojën për pavarësi dhe mbështetje, sidomos në situatën aktuale nën pandeminë e Covid-19.
Me rastin 3 majit, ditës ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Ambasadadori i BE-së, Luigi Soreca, shpërndau në Twitter një deklaratë të Komisionerit Josep Borrell.
Ai e shoqëroi postimin me mbishkrimin se në emër të BE-së, shprehte fort rikonfirmimin e angazhimit për të mbështetur rolin e rëndësishëm të mediave të pavarura dhe të besueshme në Shqipëri.
“Liria e shtypit është një e drejtë e cila i përket secilit prej nesh. Ne i mbështesim gazetarët dhe punonjësit e mediave që, me gjithë rreziqet shtesë që vijnë nga Cocid-19, po vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme në rrethana të vështira, duke i dhënë një zë më të cenuarve dhe mbajnë pushtetin përgjegjës,” – shkroi Soreca.
Ndërkohë Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim zgjodhi të nderonte gazetarët me një shprehje të ish-Presidentit Thomas Jefferson.
“Me rastin e ditës së Lirisë së Shtypit, nderojmë sot gazetarët në Shqipëri dhe gjithë botën të cilët guxojnë të ngrenë pyetje, kërkojnë faktet dhe të fuqizojnë njerëzit duke krijuar opinionet e tyre. Media e pavarur është më e rëndësishme se kurrë” – shkroi Kim, ndërsa shprehja e Jeffersonit nënkuptonte se liria e shtypit nuk mund të kufizohet pa u humbur./h.e