Një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë ka kategorizuar bizneset, sipas niveleve të riskut të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, në kategori me risk të ulët (kodi jeshil), me risk të mesëm (kodi i verdhë) dhe me risk të lartë (kodi i kuq). Për secilën nga këto kategori janë miratuar protokollet e posaçme për plotësimin e masave higjieno-sanitare, distancimit social dhe masave specifike, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID19.
Pjesa më e madhe e bizneseve bëjnë pjesë në kategorinë e bizneseve që duhet të zbatojnë protokollin jeshil, si psh bujqësia, ambalazhimi, prodhimi i produkteve të ndryshme, riparimi i pajisjeve, ndërtimi, montimi, tregtia e automjeteve, tregtia me shumicë e produkteve të ndryshme, tregtia me pakicë në dyqane të specializuara dhe jo të specializuara, tregtia e lutele, aktiviteti i taksive dhe transporte të tjera rrugore të pasagjerëve, Aktivitete të shërbimit të pijeve (bar, kafe dhe lokal), Aktivitete të telekomunikacioneve, Ndërmjetësime të tjera financiare, Agjenci publiciteti.
Në kategorinë e bizneseve që duhet të zbatojnë protokollin e verdhë përfshihen prodhimi i tapeteve, qymyrit, gizës, bakrit, tregtia me pakicë në tenda, transporti rrugor i pasagjerëve në sistemin urban, hotelet, akomodime për pushime, Aktiviteti i bankës qendrore, Aktivitete të operatorëve turistikë, spitalet, dentistët, palestrat, qendrat tregtare.
Në protokollin e kuq përfshihen Prodhimi dhe përpunimi i mishit, peshkut, patateve, frutave e perimeve, drithërave, akullores, sheqerit, ushqimeve të përgatitura, fasonit për veshje dhe këpucë, Aktivitete të qendrave telefonike (call center), arsimi, dhe funksionimi i aktiviteteve sportive, që do të jenë pa publik.
Lista e detajuar gjendet në fund të artikullit.
Rregullat
Çdo subjekt duhet të respektojë masat e rekomanduara nga ISHP-ja nëpërmjet një plani individual veprimi, duke respektuar çdo element për kufizimin e transmetimit të COVID-19 te punonjësit, brenda ambienteve të biznesit.
Zbatimi i këtij udhëzimi siguron:
Reduktimin e transmetimit të infeksionit midis punonjësve;
Sigurimin e një ambienti të shëndetshëm në punë;
Vijimësinë normale të aktivitetit të biznesit. – Punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të elementeve të higjienës, ku përfshihen: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkooli që kanë të paktën 60% alkool, letër të pastrimit të duarve ose peshqir me një përdorim, letra dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eliminimin e mbetjeve.
– Punëdhënësi është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të mjeteve të mbrojtjes personale, si: maska dhe doreza (maskat mund të jenë dhe prej cope dhe të ndërrohen çdo ditë). Punëdhesit duhet të sigurojnë përdorimin e maskave dhe të dorezave, si barrierë fizike për minimizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19.
– Punëdhënësi duhet të vendosë postera që inkurajojnë higjienën e duarve për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes në hyrje të vendit të punës dhe në zona të tjera të vendit të punës ku janë të dukshme.
– Punëdhënësi të rekomandojë që të mos përdoret shtrëngimi i duarve dhe përqafimet midis punonjësve dhe të inkurajojë përdorimin e metodave të tjera jokontaktuese të përshëndetjes.
– Punëdhënësit duhet të hartojnë politika të brendshme të subjektit, siç janë mundësim të punës nga shtëpia ose orë fleksibël, të cilat lejojnë të rritet distanca fizike nga një punonjës në tjetrin ose/dhe krijojnë mundësinë e këtyre punonjësve të jenë në distancë 2 metra nga njëri- tjetri.
– Punonjësve t’u kërkohet të aplikojnë larjen e duarve ose përdorimin e dezinfektantëve, kur ato janë të ndotura ose pas heqjes së maskës dhe dorezave (mbështetur në udhëzuesin e MSHMS-së mbi hapat dhe mënyrën e larjes së duarve).
– Punëdhënësit nuk duhet të lejojnë punonjësit e tyre të përdorin mjetet e njëri-tjetrit dhe postet e ndërsjella të punës.
– Punëdhënësit duhet të nxisin punonjësit e tyre për respektimin e praktikave të etikës respiratore, kollitjes e teshtitjes, duke përdorur vënien e gropëzës së bërrylit përpara gojës dhe të hundës.
– Punonjësit duhet të respektojnë masat e distancimit social, të cilat do të kryhen sipas një plani të vetë bizneseve dhe të theksohet nëse kapaciteti i punëtorëve kalon për sipërfaqe në m2 , duke respektuar distancën 2 m, bizneset të punojnë në dy turne sipas orarit të lejuar.
– Punëdhënësit duhet të inkurajojnë:
– zbatimin e vendeve të punës fleksibël (p.sh., punë në distancë);
– zbatimin e orëve fleksibël të punës (p.sh., ndërrime të orarit të punës); – rritjen e hapësirës fizike midis punonjësve në vendin e punës;
– rritjen e hapësirës fizike midis punonjësve dhe klientëve (p.sh., përmes ndarjeve);
– zbatimin e opsioneve fleksibël të takimit dhe të e udhëtimit (p.sh., shtyrja e takimeve ose ngjarjeve jothelbësore);
– uljen e disa shërbimeve apo të produkteve;
– ofrimin e shërbimeve nga distanca (p.sh. telefon, video ose web);
– dorëzimin e produkteve përmes marrjes në dorëzim, sipas një plani dhe duke siguruar distancat përkatëse.
– Bizneset duhet të praktikojnë pastrimin e vazhdueshëm të sipërfaqeve dhe elementeve të tjera të vendit të punës, si p.sh., si: stacionet e punës, tastierat, telefonat, parmakët dhe dorezat. Është e nevojshme që produktet dezinfektantë të kenë përqindjen, metodën e aplikimit dhe kohën e kontaktit të saktë, si dhe përdorimi i tyre duhet bërë duke përdorur mjetet e mbrojtjes personale. (Mbështetur në udhëzuesin e MSHMS-së për pastrimin e mjedisit në objektet (jo të kujdesit shëndetësor) të ekspozuar ndaj COVID-19).
– Nëse sipërfaqet janë të ndotura, ato duhet të pastrohen duke përdorur një pastrues ose sapun dhe ujë para dezinfektimit.
– Për dezinfektim mund të përdoren dezinfektuesit shtëpiakë më të zakonshëm, si dhe të tjerë, sipas udhëzimeve të MSHMS-së. Ndiqni udhëzimet e prodhuesit për të gjitha produktet e pastrimit dhe dezinfektimit (p.sh., përqendrimi, metoda e aplikimit dhe koha e kontaktit etj.).
– Punëdhënësit duhet të këshillojnë punëtorët që të mos përdorin telefonat, tavolinat, zyrat ose mjetet dhe pajisjet e punëtorëve të tjerë, kur është e mundur. Nëse është e nevojshme, të pastrohen dhe të dezinfektohen ato para dhe pas përdorimit. Gjithashtu, duhet të sigurohen pastruesit e mundshëm, në mënyrë që sipërfaqet e përdorura zakonisht (për shembull, telekomandat, tastierat mjetet dhe pajisjet e tjera të punës etj.) mund të fshihen nga punonjësit para çdo përdorimi.
– Nëse në një subjekt, një nga punonjësit është apo ka pasur kontakt të ngushtë me një person pozitiv COVID-19, duhet të qëndrojë në vetëkarantinim dhe të njoftojë menjëherë mjekun e biznesit dhe administratorin, i cili më pas njofton NJVKSH-në përkatëse.
– Punonjësit që kanë shenja klinike të qëndrojnë në shtëpi, të vetizolohen dhe të monitorojnë shenjat klinike dhe për çdo shqetësim të njoftojnë 127-ën dhe mjekun e familjes, si dhe të njoftojnë mjekun e biznesit dhe administratorin.
– Administratori i subjektit duhet të largojë punonjësin nga puna për të qëndruar në shtëpi, nëse ai shfaq shenja klinike dhe duhet të njoftojë menjëherë brenda 24 orëve NJVKSH-në dhe ISHP-në.
– Nëse ka një rast të dyshuar me COVID 19 nga mjeku i biznesit apo i ndërmarrjes duhet të njoftohet menjëherë NJVKSH-ja dhe ISHP-ja.
– Të minimizohet kontakti midis klientëve dhe punonjësve duke i zëvendësuar takimet fizike me
komunikime online.
– Administratorët e bizneseve duhet të vendosin elementet e distancimit fizik me shenja vizuale të dukshme në sipërfaqen e dyshemesë, si dhe rregullorja mbi tërësinë e masave të minimizimit të transmetimit të COVID-19 të jetë e afishuar në mënyrë sa më të dukshme.
– Çdo biznes duhet të ketë një mjedis të caktuar për të izoluar një punonjës, i cili mund të shfaqë shenja klinike të sëmundjes dhe më pas lajmërohet 127-ta dhe NJVKSH-ja përkatëse.
– Çdo biznes që ka më shumë se 5 persona rekomandohet të vendosë kamera të survejancës për të vëzhguar nëse masat e përcaktuara të higjienës dhe të kujdesit zbatohen me saktësi.
– Distancimi social do të kryhet sipas një plani të vetë bizneseve për fasoneri, rrobaqepësi, call center etj., dhe nëse kapaciteti i punëtorëve kalon, normën e lejuar për sipërfaqe në m2 , duke respektuar distancën 2 m, bizneset të punojnë në dy turne, sipas orarit të lejuar, duke pasur të gjitha kushtet për të kryer dezinfektimin dhe duke përdorur maskat dhe dorezat në mënyrë të detyrueshme.
– Të konsiderohen përmirësimi i kontrolleve inxhinierike, duke përdorur sistemin e ventilimit të ndërtesave. Kjo mund të përfshijë disa ose të gjitha aktivitetet e mëposhtme:
– rritja e niveleve të ventilimit;
– rritja përqindjes se ajrit në natyrë që qarkullon në sistem. Mbështetur në nivelet riskut nga niveli jeshil deri në nivelin e kuq për transmetimin e infeksionit COVID-19, të gjitha subjektet që janë në nivelin jeshil duhet përdorin dorezat, maskat mbrojtëse. Respektimi i distancës 2 m, vendosja e shenjave të pritjes në radhë, afishimi i mundësisë së blerjeve online, rezervimi takimi online apo me telefon, vendosja e xhamit mbrojtës klient shitës, dezinfektim i ambientit, larje para hapjes dhe pas mbylljes sidomos i tavolinave, banakëve, telefonave dhe çdo hapësire ku ka pasur kontakt me duar, ajrimi sipas mundësisë minimalisht 3 herë në ditë.
– Në nivelin portokalli dhe të kuq do të kërkohet frekuencë e shtuar e ajrimit, dezinfektim me tunel spray në hyrje dhe në dalje të biznesit për të gjithë punonjësit. (Mbështetur në udhëzuesin e MSHMS-së për pastrimin e mjedisit në objektet (jo të kujdesit shëndetësor) të ekspozuar ndaj Covid19.)
– ISHSH-ja duhet të kryejë inspektimin sistematik për vlerësimin e zbatimit të masave përkundrejt penaliteteve në fuqi.
– Bizneset duhet të jenë të përgatitura që vlerësimi në mënyrë sistematike i situatës epidemiologjike (rritje e rasteve pozitive, shtim i rasteve të hospitalizuara etj.) do të sjellë për pasojë rishtrëngim të masave të lejuara.