Demi ne ekonomine shqiptare për shkak të pandemisë parashikohet të jetë më shumë se 1 miliard dollarë.
Në një intervistë në media, Ministri per Rindertimin Arben Ahmetaj u shpreh se sektori më i prekur do të jetë ai i prodhimit.
“Dëmi ekonomik këtë vit mund të shkojë rreth minus 5%. Nëse do e transmetoja në shifra të prodhimit të brendshëm bruto, gati 1 miliard dollarë brenda vitit. Unë mendoj që do të jetë pak më e lartë, do të shkojë tek 8% dhe do të kalojë 1.3 miliard dollarë dhe si dëm do të transferohet tek ndërmarrjet. Pra kemi prodhimin. Kjo është ndryshe si krizë nga ajo e vitit 2008, është krizë e sektorit real e krijuar nga frika e pandemisë”, u shpreh Ahmetaj.
Ahmetaj tha se në këto kushte vendi gradualisht do të vijojë hapjen, ndonëse kjo hapje është e kushtëzuar edhe nga mënyra se si do të hapen vendet e rajonit. “Ne po hapemi, por jemi të kushtëzuar edhe nga hapja e rajonit. Italia dhe Greqia janë mbi 85% e shkëmbimit tonë tregtar. Hapja e tyre do na lehtësojë”, u shpreh Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj, po ashtu vuri në dukje se qeveria po diskuton një plan, i cili do të ndihmonte rimëkëmbjen e ekonomisë.
“Paketa e tretë është e rimëkëmbjes ekonomike, me injektim në sektor. Investime publike dhe private, kujdes në shtyllën sociale, por nuk do të ketë paketa të tipologjisë 1 dhe 2 . Po diskutohet instrumenti i tretë i garancisë për të ndihmuar prodhimin dhe turizimin”, tha Ahmetaj.
Kjo paketë, vuri në dukje ai, parashikohet të jetë gati në fund të muajit qershor dhe është një plan ekonomik që godet objektivat deri në 2025.