Jo pak janë habitur sot kur kryeministri i vendit Edi Rama tha se “kritik me qeverinë por s’ka të sharë, Zef Mazi do të jetë kryenegociator i Tiranës me Brukselin”.
Për ata që njohin Ramën ndoshta e kuptojnë strategjinë e tij për të afruar dhe zëra kundër. E ka bërë këtë me Ridvan Boden duke e çuar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, Leonard Demin dhe Visho Ajazin i bëri ambasadorë në NATO, apo dhe figura të tjera të opozitës siç ishte rasti i Ilir Rusmalit dhe Viktor Gumit për reformën zgjedhore.
Zgjedhja e Zef Mazit mund të jetë edhe në vazhdën e kësaj qasjeje. Por ajo mund të lexohet edhe si një strategji për të bashkuar të gjithë zërat. Mazi njihet si një figurë shumë pranë mMtës. Karriera e tij ka marr hov të rëndësishëm sa herë që Presidenti aktual ka pasur pozita të rëndësishme.
Por dhe në radhët e opozitës reputacioni i Mazit është i lartë, dhe shikohet si një figurë që do të ulte tonin e kritikave.
Por nuk përjashtohet mundësia që Mazi të jetë edhe pika lidhëse e një marrëveshje të re mes Ramës dhe Metës.
Zërat se ata po gatuajnë një koalicion tjetër janë shtuar së shumti dhe pas diskutimit për Dvoranin, Mazi të jetë një tjetër emër përbashkues.
Vetëm kjo do të justifikonte pranimin e këtij posti nga zoti Mazi. Kujtojmë që muajt e fundit ai ka qenë tepër kritikë ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Në disa intervista në shtyp ai kritikonte nismën e Minishengenit dhe po ashtu kërkonte edhe largimin urgjent të ambasadorit të OSBE, Bernd Borshard nga Shqipëria.
Sido që të jetë, ambasadori i karrierës dhe një prej diplomatëve më të mirë të Shqipërisë, zoti Mazi ia ka publikut borxhin që të rrëfejë arsyet e pranimit të këtij propozimi.
Posti i tij është tejet i rëndësishëm dhe figura e tij do mbetej po aq e pastër, nëse do të bënte transparencë në lidhje me pranimin e të qenit kryenegociator i Tiranës me Brukselin.
h.e / Argumentum