Gjysmëhëna e Kuqe Turke ndihmon Kryqin e Kuq Shqiptar me materiale mbrojtëse ndaj COVID-19. Sot në aeroportin e Rinasit, u organizua ceremonia e pritjes së një sasie prej 1.3 tonësh materiale mbrojtëse që Gjysmëhëna e Kuqe Turke i akordon Kryqit të Kuq Shqiptar, për t’i përdorur në mbrotje të vullnetarëve dhe të personelit të saj në realizimin e veprimtarive humanitare në ndihmë të shtresave më në nevojë. Ky kontigjent ndihmash përbëhej nga 75 000 maska, 4000 doreza, 2000 kostume mbrojtëse, 2000 syze mbrojtëse.
Ndihma e dorëzuan Presidentit të Kryqit të Kuq Shqiptar z. Ylli Alushi, nga Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, z. Murat Ahmet Yoruk. Z. Ylli Alushi falënderoi Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe Ambasadorin e Republikës së Turqisë në vendin tonë dhe nëpërmjet tij Qeverinë dhe popullin turk për ndihmat e dhënë në këto ditë të vështira të përballjes me pandeminë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë mbërritjes së avionit ushtarak turk në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe drejtues të Kryqit të Kuq Shqiptar.
Në një prononcim për mediat, ambasadori Yörük tha se Republika e Turqisë edhe në këto situata të vështira e vlerëson si shumë të çmuar dhe shumë të rëndësishme këtë solidaritet të gjithanshëm dhe mbështetjen humanitare.
“Që nga momenti që kjo epidemi u shndërrua në pandemi, ne si Turqi brenda mundësive tona jemi përpjekur të gjendemi me gjithë fuqinë pranë shteteve, popujve të tjerë. Në zbatim të direktivave dhe porosive të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Turqia ka ofruar ndihma humanitare në 5 kontinente, në më shumë se 60 vende. Materialet e ndryshme shëndetësore shumë të nevojshme për këtë situatë janë dërguar nga Turqia duke filluar në SHBA, Britani, disa nga vendet e BE-së, siç është Spanja dhe Italia dhe shumë vende të tjera”, u shpreh ambasadori turk.
Ai tha se këto ndihma nuk janë të parat të këtij lloj, por janë të tretat që vijnë në Shqipëri, ndërsa theksoi më tej se në ditët e para të fillimit të kësaj pandemie, Presidenti i Republikës së Turqisë mori një vendim që të lejohet eksportimi i mallrave shëndetësore, duke ofruar 8 tonë materiale shëndetësore për Shqipërinë.
“Më pas ndihma e Turqisë për Shqipërinë vijoi me ofrimin e 6 ambulancave të mirëkompletuara, përfshirë këtu edhe respiratorët dhe këto ambulanca iu dhuruan Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nëpërmjet Forcave të Armatosura Turke dhe Ministrisë sonë të Shëndetësisë. Materialet e sjella sot janë 1.5 ton materiale mbrojtëse, që do të përdoren në shërbim të popullit shqiptar”, tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.