Vendet e Ballkanit do të bien në recesion gjatë vitit 2020 për shkak të krizës së koronavirusit, me Shqipërinë e cila sipas parashikimeve të Bankës europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe, ndërsa rritja e ekonomisë së saj do të zbresë në -9 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas raportit të publikuar sot “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia si pasojë e varësisë së saj së lartë nga turizmi dhe fasoneria. Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie”, vlerëson raporti sipas të cilit “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”. Sipas parashikimeve të BERZH-it, ekonomia shqiptare mund të njohë një rimëkëmbje të shpejtë, duke u rritur me 12 përqind në vitin e ardhshëm.
Sa i përket Kosovës, e cila vitin e kaluar rregjistroi rritjen më të lartë në rajon, BERZH-i parashikon se “efektet e masave që synojnë kontrollimin e pandemisë, dhe një rënie të mundshme të dërgesave në para, pritet të rezultojnë në një rënie të PBB-së prej 5.0 përqind në vitin 2020, për t’ju rikthyer një rritjeje pozitive prej 7.5 përqind në 2021”.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit, do të preken nga kriza e koronavirusit përmes kanaleve të ndryshme. “Sektorët e shërbimeve, veçanërisht Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të ndiejnë efektin e masave bllokuese përmes rënies të të ardhurave. Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat kanë baza të forta prodhuese, mund të goditen më së shumti përmes prishjes së zinxhirëve të furnizimit global”. Ndërsa Mali i Zi, si;undër dhe Shqipëri, pritet të goditet fort në sektorin e turizmit, për shkak të kufizimeve në lëvizjen e personave.
Raporti
Në raportin e pubikuar sot, “Perspektiva Ekonomike Rajonale në rajonet e BERZH”, ekonomia shqiptare parashikohet të bjerë me -9%, që është më e thella në rajon dhe në gjithë vendet në zhvillim pjesë e BERZH, me përjashtim të Libanit (-11%). Nga vendet e rajonit, pas Shqipërisë tkurrjen më të lartë do ta ketë Mali i Zi (-8%), më pas Kosova (-5%), Bosnja dhe Hercegovina (-4.5%), ndërsa vendet që pritet ta kalojnë pak më lehtë janë Maqedonia dhe Serbia, me -3.5% secila.
Sipas raportit të BERZH “ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë që të goditet fort nga epidemia për shkak të varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe eksporteve me vlerë të ulët të mallrave ndërmjetëse me destinacion industrinë e modës në Itali. Një reduktim i mundshëm i remitancave do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritje. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave që janë marrë për të frenuar virusin dhe nga një kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”.
Në vitin 2021 pritet një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë, me një rritje prej 12%, më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresa për rritje vjen me supozimin që masat për frenimin e virusit do të jenë afatshkurtra dhe rimëkëmbja nga tërmeti do t’i japë një tjetër shtysë ekonomisë.
Edhe në vitin 2019, Shqipëria ka pasur rritjen më të ulët në Ballkanin Perëndimor, me 2.2%, ndërsa më të lartin e kishin Kosova dhe Serbia, me nga 4.5%.
BERZH thotë se përgjysmimi i rritjes ekonomike në 2019-n erdhi si rrjedhojë e tkurrjes së prodhimit të energjisë, por dhe rënies në ndërtim, sidomos në tremujorin e katërt. Në kahun tjetër, shërbimet, veçanërisht turizmi, ishin një kontribues i rëndësishëm i rritjes. Vendi u ndikua negativisht dhe nga tërmeti i 26 nëntorit, ku investimet ranë me 12% në tremujorin e katërt.
Rritja në rajonin e BERZH
Ekonomitë në rajonet e BERZH mund të kontraktohen mesatarisht me 3.5 përqind këtë vit, me një rimëkëmbje të mundshme prej 4.8 përqind në vitin 2021, thuhet në raport, duke paralajmëruar se parashikimet janë subjekt i “një pasigurie të lartë”.
Kryeekonomistja e BERZH, Beata Javorcik, tha se ndërsa bota po del nga kriza është e rëndësishme të shihet drejt një të ardhme bashkëpunimi dhe një rezistence më të madhe ekonomike.
“Kriza ka qenë një goditje masive dhe dalja prej saj do të jetë po aq sfiduese. Nuk është koha për t’u angazhuar në nacionalizëm ekonomik dhe proteksionizëm, por është koha të formësohet një e ardhme më e mirë përmes angazhimit ndërkombëtar për tregtinë e lirë, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe bashkëpunimin ekonomik, “tha ajo.
Raporti supozon një ndikim modest të krizës në trajektoren afatgjatë të ecurinës ekonomike, me rritjen që rifillon nga fundi i tremujorit të tretë, por që potencialisht do të ketë efekte të rëndësishme ekonomike, politike dhe shoqërore afatgjata.
“Nëse distancimi social vijon të zbatohet për shumë më gjatë seç është parashikuar, recesioni mund të jetë shumë më i thellë, dhe nivelet e prodhimit të vitit 2019 për frymë nuk do të arrihen për vitet në vazhdim,” thuhet në raport.
© Argumentum