Një numër demokratësh ditët e fundit kanë filluar veprimet përgatitore për zgjedhjet presidenciale të 2020-ës. Pritet që një numër i madh politikanësh demokratë të konkurrojnë përballë Presidentit Trump, i cili vitin e ardhshëm do të garojë për një mandat të dytë. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, për momentin nuk ka ndonjë pretendent mes demokratëve që duket i pozicionuar më mirë për fitore:
Senatorja Elizabeth Warren ishte ndër të parët që filluan përgatitjet për garën elektorale. Ajo shkoi në Ajova dhe Nju Hampshër për takime, dy shtete që zhvillojnë garat e hershme për përzgjedhjen e kandidatëve:
“Sot, rroga minimale nuk i mundëson një nëne me një fëmijë të jetojë mbi nivelin e varfërisë. Mendojeni pak, për mua ky është debati më i rëndësishëm”.
Takime me elektoratin ka zhvilluar edhe ish-Sekretari i Strehimit, Julian Castro:
“Së bashku do të dëshmojmë se shpresa mund ta kapërcejë frikën, se drita është më e fuqishme se errësira dhe se e vërteta është më e madhe se gënjeshtrat”.
Përveç zonjës Warren, ka edhe gra të tjera që kanë deklaruar ose pritet të deklarojnë synimet për të hyrë në garë, ndër to Senatorja nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand, ligjvënësja nga Havai, Tulsi Gabbard, Senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris dhe Senatorja nga Minesota, Amy Klubuchar.
Po ashtu pritet që në garë të përfshihen politikani nga Teksasi, Beto O’Rourke, Senatori nga Nju Xhërsi, Cory Booker dhe ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili vjet bëri fushatë për kandidatët demokratë për Kongres.
“E vetmja gjë që ka fuqinë e nevojshme për ta përçarë Amerikën është vetë Amerika. E kemi parë se kjo ka filluar dhe duhet ta ndalim! Menjëherë!” tha zoti Biden.
Zoti Biden mund të jetë më i njohuri mes tyre, por për momentin asnjë nuk duket se gëzon epërsi, thotë analisti Larry Sabato.
“Edhe vetë zoti Biden nuk ka ndonjë epërsi të dukshme. Ai rezulton tek 35-40% në anketa, pra më dobët se Hillary Clinton, e cila kryesonte në këtë periudhë para zgjedhjeve të 2016-ës”.
Demokratët duhet të përgatiten për një grup të madh konkurrentësh dhe një betejë të gjatë partiake për të nxjerrë fituesin, thotë analisti Jim Kessler.
“Mendoj se gjatë procesit të përzgjedhjes do të bëhet e qartë se ky nuk është proces kurorëzimi, siç ndodhi me zotin Al Gore në vitin 2000, apo me Hillary Clinton në 2016. Këtë radhë mendoj se procesi do të jetë shumë i ndezur”.
Presidenti Trump vazhdon të gëzojë popullaritet mes republikanëve, megjithëse në shifra më të ulëta se më parë. Por ka të ngjarë që ai të sfidohet nga ish-guvernatori i Ohajos, John Kasich.
“Nëse konkurroj, platforma ime do të mbështetet tek premtimi për ta ribashkuar vendin”.
Presidenti e ka përqëndruar vëmendjen tek forcimi i mbështetjes në radhët e bazës së tij. Kjo e bën të vështirë që presidenti të hasë në rivalitet të fortë nga brenda partisë së tij./voa