Nga Bedri RAMIZI*
Ka një interesim të shtuar këto ditë mbi rikthimin e maturantëve sërish në bankat e shkollës. Sepse ky i tanishmi, është në fakt, i dyti brenda këtij viti. I pari, në muajin shtator, është kthyer tashmë në një traditë për arsimin tonë.I dyti, ndoshta edhe me i mirëpritur, meriton vëmendje, ngaqë vjen pas një dueli me të keqen.
Përtej mureve tradicionalë të shkollës për shkak të pandemisë, maturantët tanë nuk u ndjenë për asnjë çast “ të braktisur ”, nuk u mungoi për asnjë moment përkujdesja e mësuesve të tyre dhe ajo e tërë shoqërisë. Nën peshën e pandemisë ata zhvilluan bashkërisht një proces komunikimi që ndoshta do të lërë gjurmë të thella për shumë kohë në kujtesën e tyre. Zhvillimi i mësimit online i kombinuar me atë përmes RTSH publik, prodhoi për ta jo vetëm të nxënë cilësor dhe përsosjen e kompetencave të tyre dixhitale, por aishpalosi edhe shumë dashuri e mirënjohje për njeri-tjetrin, besim, mirëkuptim dhe tolerancë, për të cilat kemi aq shumë nevojë sot. Rikthimi i maturantëve në shkollë do të ndodh në të tëra shkollat e vendit. Por këtë herë zgjodhëm si referencë atë të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”– Tiranë. Ka një ndjesi të çuditshme për këtë shkollë. E vendosur në pellgun rinor më të spikatur të kryeqytetit, është e pamundur të gjesh dikë që të mos ketë hedhur një herë vështrimin drejt saj, apo të mos këtë një lidhje shpirterore me të. Jo vetëm për vajzat e bukura, djemtë simpatikë dhe mësuesit e saj të talentuar, por më së shumti, për faktin e të qenit një ndër shkollat më përfaqësuese dhe elitare të arsimit shqiptar. Si e tillë, prej shumë dekadash, nga dyert e saj, kanë dalë mijëra maturantë që kanë spikatur dhe kontribuojnë edhe sot me dinjitet në çdo fushë të jetës sonë.
Ditët dhe muajt kaluan dhe tani kjo shkollë, sikurse të gjitha të tjerat në vend, janë të gatshme të presin në mirëseardhjen e tyre të dytë maturantët, për t`u krijuar atyre të gjitha lehtësitë e merituara për të përmbyllur me sukses vitin shkollor, provimet e Maturës Shtetërore e për të vijuar me studimet e mëtejshme universitare. Ky rikthim është tregues i vëmendjes së përherëshme për këtë kategori të rinjsh, tek të cilët shikohet e ardhmja e shoqërisë. Nga ana tjeter, rikthimi i maturantëve përbën një moment të rëndësishëm për të shkarkuar dhe hedhur pas krahëve stresin e akumuluar gjatë periudhës pandemike. Mbi të gjitha, ky moment vlen të çmohet si një mundësi, reale e ndërtuar me shumë kujdes që maturantëve t`u krijohet, jo vetëm siguri nga pikëpamja shëndetësore, por para së gjithash, mësim cilësor i mirëmenduar profesionalisht për të rimarrë njohuritë e tyre në lëndët e Maturës Shteterore e për të ndjekur hapat e tjerë të domosdoshëm për të thelluar dijet e tyre në universitet.
Mes entusiastëve, mund të këtë edhe skeptikë, që gjithsesi, duhen mirëkuptuar, pasi lufta ka bërë punën e vetë duke shkaktuar edhe pështjellime psikologjike tek nxënësit dhe prindërit e tyre. Prandaj në focus, nuk është vetëm pështatja e institucioneve arsimore për këtë rikthim, por edhe shtimi i vëmendjes konkrete për këtë katregori, nëpërmjet ofrimit të ndihmës së specializuar psikologjike për tejkalimin e këtij shoku psikologjik. Tashmë mund të thuhet me krenari se Shkolla e Gjuhëve të Huaja, ashtu sikurse të gjitha shkollat e tjera të vendit, janë gati për rikthimin e shumëpritur. Në çdo orë të ditës, duke filluar nga drejtoresha e shkollës Silvana Beqaj (Progri) e duke vijuar më stafin fantastik të mësuesve të saj dhe deri tek punonjësi më i thjeshtë, janë në krye të punëve për të plotësuar detajet e fundit për të ofruar siguri e mësim dinjitoz për maturantët duke iu përmbajtur me rigorozitet maksimal protokollit për këtë rast. Tashmë shkolla ka një fytyrë të rinovuar dhe krejt të re. Janë detajuar planet mësimore të çdo lënde të MSH, është hartuar plani i masave për këtë situatë, rregullorja e re e shkollës për mënyën e sjelljes së maturantëve dhe të mësuesve në mjediset e shkollës. Bien në sy listat e klasave të reja me nga dhjetë nxenës, dizenjimi i klasave për të respektuar distancimin fizik, pajisja e tyre më dezinfektantë e deri tek përcaktimi i numrit personal të tavolinës që do të ketë nxënësi gjatë tri javëve të qëndrimit në shkollë. Prindërve dhe nxënësve u është dërguar një ftesë miqësore për t`u bërë pjesë e këtij momenti të rëndësishmëm në jetën e fëmijëve të tyre.
Nga vëzhgimi i mjediseve të shkollës është mëse evidente atmosfera e sigurisë dhe e gatishmërisë për ditën e rikthimit të mirëpritur të maturantëve tanë. Ndaj është vendi për të inkurajuar prindërit që të bëhen pjesë e këtij procesi duke mundësuar përfshirjen e fëmijëve të tyre në këtë fazë të rëndësishme të shkollimit të tyre. Gjithsesi, të gjithë duhet të mbajmë parasysh faktin se, sërish jemi akoma në luftë, por të vendosur për ta gëzuar fitoren së bashku. Muret që kemi ndërtuar ndaj armikut janë të çdo natyre, kurse kordonet sanitare që kemi ngritur, kanë prodhuar efekte positive. Por përballë këtij armiku tinzar, të padukshëm, ato janë akoma të brishta. Kjo gjë duhet të na bëj vigjilentë në çdo moment. Maturantët, por edhe mësuesit e tyre vijnë nga një mjedis kur deri së fundi, krahas interpretimeve shkencore për koronavirusin, mendjet e tyre janë bombarduar me gjithfarë teorish konspirative apo hajmalish që turrullosin mendjet e njerëzve. Ndaj është shumë e rëndësishme që në këtë rikthim të maturantëve tanë, të vetmet këshilla për mënyrën e sjelljës sonë, duhen të jenë ato të specialitëve të fushës dhe asgjë tjetër. Kjo nënkupton që, jo vetëm maturantët, por edhe mësuesit, si reflektuesit e sjelljeve të përshtatshme, duhet të zbatojnë me përpikmëri rregullat që kërkon situata dhe protokollet që lidhen me të si, distancimi social dhe fizik, mbajtja e detyrueshme e maskave brenda institucionit, higjienizimi i herëpashershëm i mjediseve të brendshme të shkollës, kufizimi i lëvizjeve të panevojshme, shtimin e vetëkontrollit, ofrimi i kontributeve individuale të gjithsecilit për të bashkëmenaxhuar me përsosmëri procesin dhe deri tek shmangia e prezencave të panevojshme të atyre mësuesve që janë të involvuar me detyra të tjera të mësimit online me nxënës të viteve të tjera. Cedimi apo neglishimi i respektimit të këtyre masave do të përbënte një cënim të këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe delikat.
Është plotësisht e kuptueshme së suksesi i rikthimit të maturantëve dhe përmbushja me sukses e përfundimit të Maturës Shtetërore është plotësisht e varur nga ne, nga maturantët vetë si dhe nga prindërit e tyre. Nga ana tjetër, ai është një proces që duhet monitoruar me rigorozitet, ashtu sikurse deri tani, nga autoritetet përkatëse. Suksesi i maturantëve është njëherësh edhe suksesi jonë, është suksesi i tërë shoqërisë që di të luftojë me të keqen dhe të përgatisë me dije të qëndrueshme këtë brez të rinjsh, të gatshëm për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes.
/argumentum.al/
* Autori është profesor në Shkollën e Gjuhëve të Huaja ” Asim Vokshi”
© Argumentum.