Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 18 raste të reja me COVID-19. Në komunikimin e përditshëm me publikun Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik bëri me dije se 7 raste janë zbuluar në Durrës, në një fasoneri, raste kontakti me të prekur, 5 raste në Berat, gjithashtu kontakte të një rasti të mëparshëm mes të cilëve personel mjekësor, 2 në Krujë, 4 raste në Tiranë.
Duke ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve pozitive në ditët e fundit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kërkoi nga qytetarët respektimin e rregullave për të mos u kthyer në gjendjen e mëparshme.
“Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme”, tha Manastirliu. Duke deklaruar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet planin e hapjes dhe lehtësimin e masave, Manastirliu deklaroi se nëse do të vijojnë rritje të rasteve, sipas skenarëve, mund të përdoren frenat e emergjencës.
“Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes”, tha Manastirliu.
Përditësimi i situatës së COVID19: Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren. Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste. Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit.